Lidhje

Vazhdon përshkallëzimi i tensionit në Egjipt


Në Egjipt, tensionet vazhduan edhe sot të rriten. Në rrugët e Kajros dhe të qyteteve të tjera pati dhunë mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.

Zyrtarët thonë se numri i të vdekurve nga përleshjet e djeshme është rritur në 36, ndërkohë që më shumë se 1,000 të tjerë janë plagosur. Në lagjet e Kajros ku ka patur dhunë shihen të shpërndarë kudo gurë, gëzhoja plumbash dhe sende të tjera të forta.

Presidenti i ri i përkohshëm i Egjiptit, juristi Adly Mansour, u takua sot në pallatin presidencial me shefin e ushtrisë, gjeneralin Abdel-Fatah el-Sisi dhe me ministrin e brendshëm, i cili është edhe shef i policisë egjiptiane. Zoti Mansour u takua edhe me udhëheqësit e lëvizjes së të rinjve Tamrod, e cila organizon mitingjet kundër Morsit.

Mijëra mbështetës të zotit Morsi protestuan sot jashtë një xhamie në Naser City të Kairos. Udhëheqësit e Vëllazërisë Myslimane që qëndrojnë pas tyre kanë thënë se planifikojnë rezistencë paqësore, por një grup i ri ka deklaruar se do të përdorë dhunën, nëse është e nevojshme, për të rikthyer zotin Morsi në pushtet.

Ushtria egjiptiane ndërhyri dje për të ndërprerë përleshjet mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të ish-Presidentit egjiptian Mohamed Morsi.

Makina të blinduara u futën në qendër të Kairos për të ndalur protestat. Një zëdhënës i ushtrisë tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve se ushtarët nuk po mbajnë anën e asnjërës palë, por kanë ndërhyrë për të mbrojtur jetë njerëzish.

Pjesëtarët e kampeve rivale ishin përfshirë në përleshje në pika të ndryshme të Kairos si dhe në qytete të tjera, përfshirë Aleksandrinë, duke qëlluar me gurë në drejtim të palës kundërshtare e në disa raste edhe në përleshje trup-më-trup. Televizioni shtetëror njoftoi se të paktën 17 vetë kanë gjetur vdekjen.

Po dje, më herët, trupat qeveritare hapën zjarr kundër përkrahësve të zotit Morsi, të cilët u përpoqën të futen në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ushtria arrestoi zotin Morsi dhe udhëheqës të tjerë të Vëllazërisë Myslimane të mërkurën dhe pezulloi kushtetutën. Ushtria thotë se veprimet e saj u ndërmorën për të shmangur kërcënimin e një kryengritjeje popullore.
XS
SM
MD
LG