Lidhje

Përmbysja e presidentit Morsi përçan Lindjen e Mesme


Trazirat thellohen në mbarë rajonin

Përmbysja e presidentit të zgjedhur në rrugë demokratike Mohamed Morsi nga ushtria egjiptiane ka shkaktuar reagime të forta në Lindjen e Mesme. Analistët thonë se ngjarjet në Kairo i kanë shtuar tensionet në një rajon të kapluar nga trazirat.


Me rrëzimin e presidentit islamist Morsi në qendër të vëmendjes, lufta civile në Siri është lënë jashtë vëmendjes ditët e fundit.

Por presidenti Bashar al-Assad po përdor krizën egjiptiane si propagandë, thotë Michael Clarke me Institutin Royal United Services në Londër.

“Presidenti Assad, nga të gjithë sunduesit në Lindjen e Mesme, po thotë Egjipti provoi se ai nuk është sundues fetar dhe se po të lësh të njerëz si ata që kontrollojnë qytetet Homs dhe Aleppo të vijnë në pushtet, do të ndodh e njejta e gjë si në Egjipt.”

Por ky argument mund të japë efekt të kundërt për presidentin Assad, thotë analisti politik Nadim Shehadi me organizatën Chatham House.

“Është një thikë me dy presa, sepse nëse islamistët janë në rënie, atëherë mesazhi i tij kryesor që ai është alternativa e vetme ndaj tyre, po ashtu do të dobësohet.”

Në Libi, kryengritja rrëzoi nga pushteti Muammar Gadhafin në vitin 2011. Tani partia e Vëllazërisë Myslimane është bërë blloku më i fuqishëm në parlament. Por kryeministri i pavarur libian Ali Zeidan reagoi me kujdes ndaj zhvillimeve në Kajro.

“Zgjedhjet politike i përkasin popullit egjiptian dhe ne duhet të mbështesim zgjedhjet e tyre.”

Libia vazhdon të përballet me militantë të armatosur që kërcënojnë të minojnë rrugën drejt demokracisë paqësore, thotë zoti Clarke.

“Kjo do të vazhdojë. U desh një revolucion i dytë në Egjipt. Por vazhdon revolucioni i dytë në Libi dhe do të vazhdojë të ndodhë në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme.”

Partia Ennahda në pushtet në Tunizi është aleate e Vëllazërisë Myslimane. Por zyrtarët e partisë thonë se qasja konsensuale e Tunizisë përmes komisioneve ndërpartiake për hartimin e kushtetutës ka fituar mbështetje.

Turqia ka qënë ndër kritikët më të zëshëm të ushtrisë egjiptiane. Analistët thonë se partia AK në pushtet ka humbur një aleat islamist me presidentitn Morsi. Ministri i Jashtëm turk Davutoglu foli qartë.

“Presidenti Morsi që mori drejtimin pas zgjedhjeve demokratike u rrëzua me grusht shteti nga ushtria egjiptiane.”

Nga ana tjetër, fuqitë arabe si Arabia Saudite dhe Jordania i kanë mirpritur zhvillimet në Kajro thotë Michael Clarke.

“Dështimi i Morsit dhe rrëzimi i tij është kënaqësi e maskuar për ata. Është pak poshtërim për Katarin që ka mbështetur Morsin dhe ka investuar shumë para për të.”

Në mes këtyre zhvillimeve, Izraeli po ndjek me kujdes zhvillimet në Egjipt, thotë Nadim Shehadi me Chatham House.

“Kemi ardhjen e ushtrisë në pushtet, duke shfrytëzuar konfliktitn Arabo-Izraelit për të mbajtur veten në pushtet. Ndaj ata duhet të jenë të kujdesshëm.”

Analistët paralajmërojnë për shtimin e shqetësimeve se veprime të njëanshme nga Izraeli kundër ndonjë kërcënimi të perceptuar mund të ndezë këtë rajon të paqëndrueshëm.

XS
SM
MD
LG