Lidhje

Mbështetësit e Morsit kundër kompromisit


Autoritetet egjiptiane kanë paralajmëruar përsëri se shpërndarja e kampeve të demonstruesve anti-qeveritar është e pashmangshme, por dhjetëra mijëra demonstrues në kampet e ngritura në pikat kyçe të Kajros vazhdojnë të sfidojnë paralajmërimet e autoriteteve.

Në kampin kryesor të protestuesve anti-qeveritar në Kajro, është e vështirë të shohësh frikën se kërcënimi për shtypjen e protestës po afron.
Në rrugën jashtë xhamisë Rabaa al Adaweya, një grup i të rinjve luajnë futboll. Fëmijët shikojnë këtë lojë futbolli dhe duket sikur ata nuk kanë njohuri për paralajmërimin e qeverisë për ndërhyrje në këtë kamp të portestuesve.

Por protestuesit këtu janë të përgatitur. Ata kanë ushqime, kamionë me ujë, gjeneratorë, madje edhe antena satelitore.

Kampi është një qytet brenda qytetit, dhe pavarësisht nga kërcënimi për rrethimin e tij, policia vazhdon të jetë larg tij dhe më shumë njerëz vazhdojnë të arrijnë në kamp.

Përtej barrikadave në periferi të kampit, Mustafa Mahmud, një pensionist me dy fëmijë të vegjël arrinë në kamp ashtu siç ka bërë çdo ditë që nga fillimi i korrikut, kur ushtria e rrëzoi nga pushteti presidentin Mohamed Morsi pas protestave masive kundër tij.

Zoti Mahmud tregon pikat ku kanë vdekur protestuesit në betejat e mëparshme me policinë.

Ai pyet: "A nuk jemi të gjithë një projekt martirësh?" Ai pyet një grup të rinjsh nëse ata janë të frikësuar. Jo, përgjigjen ata. Pastaj, Mahmudi thotë "atëherë të gjitha ia lëmë Perëndisë."

Qeveria i quan kampet e protestuesve një kërcënim për sigurinë, duke vënë në dukje provokimet e disa protestuesve, dhe marshimet e përditshme që pengojnë trafikun në mbarë qytetin.
Të dërguarit ndërkombëtarë janë përpjekur të gjejnë një zgjidhje për zhbllokimin e situatës. Të dielën, edhe kleriku Sheikh Al-Azhar ofroi ndërmjetësim.
Por oferta e klerikut suni u refuzua nga protestuesit brenda kampit. Mohamed Soltan është koordinator vullnetar i kampit për mediat.
Ai thotë se kërkesa për rikthimin e zotit Morsi në pushtet është e panegociueshme.

"Ne nuk kemi asgjë, përveç kësaj kërkese. Pala tjetër ka armë, ushtri, media, sistem gjyqësor dhe para. Ata kanë gjithçka dhe ata duhet të jenë të gatshëm për kompromis. Ne nuk kemi asgjë. Ne thjeshtë jemi jashtë në rrugë."

Qeveria i ka portretizuar protestuesit nëpër kampe si radikalë të rrezikshëm ndërkohë që retorika islamiste është e pranishme kudo. Por, për disa protestues ky nuk është problemi që duhet zgjidhur.

Mostafa Mahmud, duke qëndruar pranë fëmijëve të tij, shpjegon se ai nuk është fetar dhe nuk është duke mbrojtur zotin Morsi. Por ai thotë se mori pjesë në një proces demokratik duke pritur në radhë të gjatë në qendrën e votimit. Tani ai pyet: "Ku është vota ime?"

Si shumë të tjerë në këtë kamp, ai është i gatshëm të përballet me ndërhyrjen e policisë për të mbrojtur votën e tij.
XS
SM
MD
LG