Lidhje

Ekspertët elektronikë: Partitë të largojnë militantët nga komisionet zgjedhore


Ekspertët elektronikë: Partitë të largojnë militantët nga komisionet zgjedhore
Ekspertët elektronikë: Partitë të largojnë militantët nga komisionet zgjedhore

Organizata dhe Institute studimore të pavarura u bënë sot thirrje partive politike që reformën zgjedhore ta kryejnë njëkohësisht me reformën teknologjike të procesit të votimit. Instituti i Teknologjive të Informacionit, Instituti EUNACAL dhe Instituti për Zhvillimin e Sistemit Zgjedhor u kërkuan partive që të heqin dorë nga përfaqësimi partiak në komisionet e votimit dhe të numërimit, por zgjedhjet e ardhshme fletët e votimit të numërohen me skaner. Përfaqësuesit e këtyre organizatave diskutuan variantet e ndryshme se si zgjedhjeve shqiptare t’u shtohet besueshmëria dhe cilësia demokratike përmes numërimit elektronik të votave.

Drejtuesi i Institutit të Teknologjive të Informacionit, Pjerin Marku, thotë se numërimi elektronik i votave shkurton në minimum kohën e nxjerrjes së rezultateve, dhe shmang mosbesimin mes palëve.

"Kjo është sëmundja jonë politike e gjithë këtyre viteve; ne i lëmë të gjithë nsekondën e fundit dhe së dyti nuk kemi besim tek tjetri përballë. Teknologjia na jep të gjitha mundësitë, mjafton të duam që shmangim këto lloj sëmudjesh të sistemit tonë elektoral. Numërimi elektronik është një domosdoshmëri dhe besoj se do të pranohet nga të gjitha palët” - tha ai.

Ekspertët pohojnë se Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të tjera në numërimin e votave me dorë dhe vonesa të jashtëzakonshme deri në një muaj nga data e zgjedhjeve. Drejtuesi i Institutit për Zhvillimin e Sistemit Zgjedhor, Kristaq Kume, thotë se militantët partiakë duhen larguar nga kutitë e votimit dhe rezultati më i pastër mund të vijë nga kompjuterat. “Të përdorësh teknologjinë e informacionit do të thotë që të heqësh subjektin, të heqësh njeriun. Partitë politike nuk duhet që të kenë më mundësi që të jenë pjesë e administrimit, dhe të pranojnë më pas rezultatin që del nga një njësi indiferente, pra, nga kompjuteri” - tha ai.

Teknicienët propozuan që në zgjedhjet e ardhshme Shqipëria të provojë së paku një projekt pilot me votime elektronike në një qytet të madh brenda vendit dhe në një shtet perëndimor për emigrantët. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se deri dje janë bërë investime të mëdha në videokamera dhe pajisje të tjera sigurie për zgjedhjet, që synon rritjen e transparencën, por numërimet përsëri bëheshin nga militantët dhe komisionerët partiakë. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, ligjvënësit dhe partitë politike duhet të pranojnë së paku numërimin me elektronikë, dhe pastaj të diskutojnë se deri në çfarë shkalle do ta përfshijnë teknologjinë digjitale në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Por ndryshe nga herët e tjera, kur reforma zgjedhore zvarritet deri në afatin e fundit, për futjen e teknologjive digjitale në procesin zgjedhor duhen marrë vendime shumë muaj përpara.

XS
SM
MD
LG