Lidhje

Florida, arrijnë në 18 të vdekurit, ndër ta edhe 2 fëmijë


Punonjësit e ekipeve të kërkimit-shpëtimit mbi malin me rrënoja në kullën Champlain Towers South, Florida (30 qershor 2021)

SURFSIDE, Florida - Ekipet e kërkimit që gërmojnë në rrënojat e një kulle në Florida nxorën gjashtë trupa të tjerë nga rrënojat të mërkurën, duke e çuar numrin e të vdekurve të konfirmuar në 18. Është numri më i lartë ditor që kur ndërtesa u shemb pothuajse një javë më parë, duke marrë trajtën e një grumbulli betoni të thyer.

Numri i banorëve të pagjendur është 147.

Kryebashkiakja e Miami-Dade, Daniella Levine Cava e bëri njoftimin në një konferencë shtypi në mbrëmje. Ajo tha se dy nga të vdekurit ishin fëmijë.

Më herët gjatë ditës, ekipet kishin hapur një shteg që duhet të lejojë përdorimin e pajisjeve më të rënda, duke përshpejtuar ndoshta edhe heqjen e betonit gjë që "mund të sjellë lajme jashtëzakonisht të mira", tha kreu i zjarrfikësve të këtij shteti.

Që nga shembja e papritur e kullës 12-katëshe Champlain Towers South javën e kaluar në Surfside, ekipet e shpëtimit kanë punuar për të hequr shtresat e betonit nga ndërtesa e rrëzuar me stiva, pa trazuar grumbullin e paqëndrueshëm të mbeturinave.

Zëvendës shefi i zjarrfikësve në Miami-Dade, Raide Jadallah u tha të mërkurën familjarëve të personave që nuk janë gjetur ende se një shteg i hapur mbi grumbullin brenda natës mundësoi që ekipet e shpëtimit të përdorin një vinç në pjesët që nuk ishin më parë të arritshme. Ai tha se kjo përmirëson shanset për të gjetur xhepa të rinj hapësire në kërkimin urgjent për të mbijetuarit.

"Shpresojmë të fillojmë të shohim një përmirësim të dukshëm në lidhje me mundësinë e (gjetjes) së ndonjë boshllëku që nuk mund ta shohim", tha zoti Jadallah.

Në një intervistë me stacionin televiziv Miami WSVN, shefi i zjarrfikësve për shtetin Florida, Jimmy Petronis e përshkroi devijimin si "një përpjekje herkuliane" që do të lejojë ekipet "të përdorin pajisje masive për të hequr pjesë të mëdha betoni", gjë që mund të çojë në rezultate pozitive.

Shkaku i shembjes është nën hetim. Një raport inxhinierik i vitit 2018 zbuloi se baseni i pishinës në katin e parë të ndërtesës ishte mbështetur në një pllakë betoni që kishte "dëmtime të mëdha strukturore" dhe kishte nevojë për riparime të gjera. Raporti gjithashtu gjeti "çarje të mëdha" të kolonave të betonit, trarëve dhe mureve në garazhin e parkimit.

Vetëm dy muaj para se të binte ndërtesa, presidenti i bordit u shkroi një letër banorëve duke thënë se problemet strukturore të identifikuara në inspektimin e vitit 2018 ishin "përkeqësuar ndjeshëm" dhe se riparimet e mëdha do të kushtonin të paktën 15.5 milionë dollarë. Ndërkohë që merrnin ofertat për riparimin, ndërtesa u shemb papritur të enjten e kaluar.

Ekipet e kërkim-shpëtimit ende përballen me pengesa të mëdha ndërsa kaluan ditën e shtatë në kërkim të të mbijetuarve. Rënia në formë stive e pllakave të ndërtesës ka vështirësuar përpjekjet për të arritur tek dikush që mund të ketë mbijetuar të mundshëm në ndonjë xhep hapësire.

Shefi i zjarrfikësve të bashkisë Miami-Dade, Alan Cominsky tha se procesi i zhvendosjes së pllakave është i vështirë dhe i rrezikshëm.

"Jemi duke punuar bashkë në grup në përpjekje për të arritur këtë qëllim dhe kjo është për të shpëtuar jetën e dikujt", tha zoti Cominsky të mërkurën. "Ka qenë e vështirë. Thjesht dua ta theksoj këtë. Jemi ende duke bërë progres. Shohim burimet që vijnë në mbështetje. Jemi duke ezauruar çdo mundësi këtu".

Zyrtarët janë gjithashtu të shqetësuar për mundësinë e ndërhyrjes së motit në përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Ekipeve u është dashur tashmë të përballen me mot të keq të herëpashershëm që shkaktoi vonesa të përkohshme në punë, dhe tani po mbajnë në vëmendje dy sisteme stuhish në Oqeanin Atlantik. Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se stuhitë mund të shndërrohen në sisteme tropikale në ditët në vijim, por është e paqartë në këtë pikë nëse ato do të përbëjnë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Guvernatori Ron DeSantis tha se disa nga strukturat në Surfside mund të duhet të tërhiqen në rast se stuhitë godasin ndonjë pjesë të Floridas. "Është sezoni dhe duhet të jemi gati", tha ai.

Mundësia e motit të rënduar i shtyu zyrtarët e këtij shteti të kërkojnë nga qeveria federale për një ekip kërkim-shpëtimi shtesë. Kevin Guthrie i Divizionit të Menaxhimit të Emergjencave në Florida tha se ekipi i ri, i cili ka të ngjarë të vijë nga shteti Virxhinia, do të ishte i gatshëm nëse do të godiste moti i rëndë, duke mundësuar që të zëvendësohen ekipet që kanë punuar në vend për ditë me radhë.

Autoritetet thanë se është ende një operacion kërkim-shpëtimi, por askush nuk është gjetur i gjallë që prej disa orësh pas shembjes të enjten.

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden planifikuan të udhëtonin të enjten për në Surfside.

"Ata duan të falënderojnë punonjësit heroikë të emergjencave, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe të gjithë ata që kanë punuar pa u lodhur gjatë gjithë kohës dhe të takohen me familjarët", që presin për ndonjë të re për njerëzit e tyre të dashur, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki të martën.

Zoti Jadallah u tha familjarëve të mërkurën se nëse duan të takohen me Presidentin Biden, duhet të përgjigjen përmes një formulari të policisë dhe zyrtarëve të departamentit zjarrfikës.

Drejtori i Policisë së Miami-Dade, Freddy Ramirez tha se ai shpreson që vizita e Presidentit Biden do të rrisë moralin për komunitetin e rrënuar.

"Kemi pasur disa sfida nga moti, trishtimi, dhimbja. Dhe unë mendoj se ardhja e presidentit do të sjellë një unitet këtu për komunitetin tonë, mbështetje, ashtu si nga guvernatori ynë, kryetari ynë i bashkisë, të gjithë së bashku".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG