Lidhje

Ekonomia evropiane përpiqet të kapërcejë krizën


Shumë sektorë të ekonomisë ende mbajnë shpresat tek paketat e ndihmave qeveritare për të dalë nga kriza

Ekonomia britanike duket se e ka kapërcyer recesionin 9-mujor. Këtë e konfirmoi sot Zyra e Statistikave Kombëtare duke deklaruar se shifrat e reja kapërcejnë parashikimet për rritje 0.6 për qind dhe janë një tregues pozitiv për të ardhmen. Por ekonomistët paralajmërojnë se ekonomia britanike, ashtu si shumë vende të tjera evropiane ka një rrugë të gjatë drejt rimëkëmbjes së plotë.

Shifrat e reja që konfirmojnë rritje ekonomike duket se janë rezultat i rritjes së shpenzimeve gjatë sezonit të Lojërave Olimpike Verore. Rritja prej më shumë se 1 për qind tejkalon parashikimet e ekonomistëve për këtë periudhë. Si rezultat, ka gjasa që Banka e Anglisë të mos miratojë një tjetër raund me stimuj ekonomikë në nëntor.

Kryeministri David Cameron, në një mesazh në Twitter tha se ende mbetet punë për të bërë por “shifrat për rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm tregojnë se jemi në rrugën e duhur dhe se ekonomia po përmirësohet”.

Shtimi i aktivitetit të agjencive të punësimit, sektorit të zbavitjes dhe hotelerisë besohet se është rezultat i zhvillimit të Lojërve Olimpike dhe Paraolimpikeve këtë verë në Britani.

Ndërkaq në Francë, problemet ekonomike mund t’u kushtojnë vendet e punës 3 mijë punonjësve. Sindikatat e punëtorëve të kompanisë Peugeot zhvilluan sot në mëngjes demonstrata në qendër të Parisit për të kundërshtuar planet e kompanisë për mbylljen e fabrikës në Aulnay.

Pas bisedimeve mes drejtuesve të kompanisë dhe përfaqësuesve të sindikatave, drejtuesi i sindikatës Jean Pierre Mercier u shpreh optimist për mundësinë e një zgjidhjeje më pozitive për situatën:

“Sot Peugeot-ja u tërhoq nga plani fillestar për të vënë në zbatim gjysmën e pushimeve nga puna pa bërë negociata. Kjo ka rëndësi për ne, kjo do të jetë një betejë e gjatë”.

Philippe Varin, një nga drejtuesit e Peugeot-së ka deklaruar për median se fabrika në Aulnay duhet mbyllur. Dje qeveria franceze i ofroi 9.1 miliardë dollarë kompanisë për ta shpëtuar nga falimentimi, me kusht që qeveria të ketë më shumë ndikim në vendim-marrjen e kompanisë. Por zoti Varin këmbëngul se qeveria nuk do të marrë vendime për Peugeot-në:

“Shteti po na ndihmon të marrim financime nga banka, pra pa dyshim që do të bëjmë lëshime. Por këto janë lëshime ekonomike, pasi kredia nuk jepet falas. Ne do të parashtrojmë një plan për ristrukturim”.

Kompania, që ka në plan të shkurtojë 8 mijë vende pune në pika të ndryshme të prodhimit të saj në të gjithë Francën, ka përjetuar gjatë viteve të fundit rënie të vëllimit të shitjeve dhe të çmimeve të aksioneve.
XS
SM
MD
LG