Lidhje

Ekonomia e Filipineve forcohet


Kur Filipinet u angazhuan t’i japin hua 1 miliardë dollarë Fondit Monetar Ndërkombëtar muajin e kaluar si kontribut për paketat e shpëtimit për vendet e goditura nga kriza në Evropë, ishte një moment tjetër kur ky vend mund të krenohej dhe të konsolidonte imazhin si një faktor në skenën botërore të financave. Ndërsa dhënia e huasë është e debatueshme në këtë vend që ende lufton varfërinë, ajo shënoi gjithashtu një moment të rëndësishëm për një ekonomi që po rritet në mënyrë të qëndrueshme vitet e fundit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Simone Orendain njofton nga Manila.

Së fundmi agjencia Standard and Poor e ngriti vlerësimin e aftësisë së kredisë së Filipineve, duke e çuar vetëm një nivel më poshtë nga “shkalla e investimit”. Kjo pason vlerësimin pozitiv të Moody-t në Maj dhe të kompanisë Fitch, para një viti. Presidenti i Dhomës së Tregëtisë Hubert d’Aboville e sheh me optimizëm vitin e ardhshëm dhe parashikon që vendi të arrijë nivelin e investimeve.

“Do të dallohet menjëherë ndryshimi, sepse një vlerësim i tillë është i barazvlefshëm me stabilitetin”.

Arritja në nivelin e investimit do të thotë që një vend në zhvillim si Filipinet do të ketë mundësi të përdorë tregun ndërkombëtar të letrave me vlerë. D’Aboville thotë se një ndryshim i tillë do të qetësonte investitorët që e konsiderojnë korrupsionin si pengesën më të madhe.

Sekretari i Financave Cesar Purisima thotë se gjatë administrates Aquino, që ka dy vjet në pushtet, dy faktorë kanë ndihmuar në luftën ndaj korrupsionit dhe në rritjen e të ardhurave. Së pari, qeveria po merr masa çdo ditë kundër kontrabandistëve dhe evazionit fiskal. Dhe së dyti, qeveria përdor të ashtuquajturin buxhet që nis nga zeroja, që do të thotë që ministritë nuk paraqesin buxhet që justifikon vetëm ndryshimet nga viti i mëparshëm por duhet të arsyetojnë të gjithë zërat duke filluar nga zeroja. Kjo, thotë zoti Purisima i pakëson shanset për të keqpërdorur fondet sepse buxhetet planifikohen vetëm për periudhën që përdoren.

“Si rezultat rritja e të ardhurave nga viti në vit për shembull nga viti 2010 deri në vitin 2011, ishte më e larta që prej 10 vjetësh pa taksa të reja ose shitje asetesh. Kështu e kemi vazhduar këtë rrugë”.

Zoti Purisima thotë se rreth 180 milionë dollarë janë mbledhur deri tani, që përbëjnë më pak se 1 për qind të prodhimit kombëtar bruto. Po ashtu, rezervat e huaja në bankën qendrore kanë kapur shifrën 76 miliardë dollarë, gjë që i dha mundësi vendit të investojë 1 miliardë dollarë për fondin e shpëtimit të FMN-së.

Trinh Nguyen, ekonomist i korporatës bankare të Hong Kongut dhe Shangait thotë se Filipinet e kanë vënë veten në avantazh, duke shmangur rreziqe të mundshme si periudha tetë mujore e eksporteve të ulëta vitin e kaluar.

“Qeveria rriti shpenzimet për të zbutur efektet e kërkesës së jashtme që pritej të ishte e ulët”.

Ndërsa Filipinet i kanë përqendruar përpjekjet tek zhvillimi ekonomik, vende të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Bashkimit Evropian vazhdojnë të kenë vështirësi për shkak të krizës së stërgjatur ekonomike. Zoti Purisima thotë se kjo ofron shanse për Filipinet sepse në kohë të vështira kompanitë eliminojnë shpenzimet e tepërta.

“Një nga mënyrat e rritjes së efektivitetit të kompanive është pakësimi i kostos së prodhimit dhe transferimi i kësaj pjese të aktivitetit në vende si Filipinet ka rezultuar efektiv”.

Investitorë të mundshëm vizitojnë shpesh Filipinet. Megjithatë këto vizita nuk shndërrohet automatikisht në angazhime. Vitin e kaluar, investimet e huaja direkte kapën shifrën prej 1 miliardë dollarësh. Zoti Nguyen e konsideron këtë shifër shumë të ulët, krahasuar me Vietnamin që tërhoqi investime në shifrën 11 miliardë dollarë ose Indonezinë që tërhoqi 13 miliardë.

Raporti i Bankës Botërore “Të bësh biznes” i përfshin Filipinet në një të tretën e fundit mes vendeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit në shumicën e kategorive, si për shembull “Lehtësia e biznesit” dhe “Pagesa e taksave”.

Ndërsa Hubert d’Aboville i Dhomës së Tregëtisë e vlerëson drejtimin që ka marrë vendi, ai shton se këto hapa duhet të vazhdojnë për vite me radhë dhe pas mandatit të administrates aktuale që të mund të shihet me seriozitet nga investitorët e huaj. Kjo përfshin, atë që ai e konsideron një ligj të prapambetur që kërkon qe 60 për qind e bizneseve te jene prone e qytetarëve Filipinas dhe jo më shumë se 40 për qind e të huajve.

“Nuk mund të investosh qindra miliona dollarë kur e di që nuk do të kesh kontroll mbi investimet”.

Investitorët e huaj do të hasnin edhe pengesa të tjera përvec këtij ligji. Aktualisht bankat vendase që kanë mjaft likuiditete po u japin hua kompanive të mëdha vendase. Si rezultat, Departamenti i Tregëtisë dhe Industrisë ka vënë re se 50 për qind e investimeve vijnë nga brenda ndërsa 30 për qind nga jashtë.
XS
SM
MD
LG