Lidhje

Parashikimet për ekonominë pas uraganit


Uragani Harvey ka rritur tashmë çmimin e karburantit, si dhe mund të ngadalësojë përkohësisht edhe nivelin e shpenzimeve të konsumatorëve amerikanë, duke dëmtuar kështu rritjen ekonomike dhe duke shtuar papunësinë. Ekspertët thonë se është e vështirë të parashikohet me saktësi se sa do të dëmtojë Hjustonin dhe në përgjithësi ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, njëri prej ekspertëve për ekonominë e Teksasit është shumë optimist për rimëkëmbjen e qytetit Hjuston.

Ekspertët thonë se do të duhet kohë që niveli i ujërave nga përmbytja të bjerë dhe që të pastrohen pengesat, në mënyrë që pronarët e shtëpive, ndërtuesit dhe kompanitë e sigurimeve të kenë mundësinë të vlerësojnë plotësisht koston e dëmeve.

Megjithatë, është tashmë e qartë se kostot do të jenë të larta, thotë Tom Sabbatelli, i kompanisë “Risk Management Solutions”.

“Humbjet ekonomike prej stuhisë dhe përmbytjeve do të rezultojnë në shumën 70 – 90 miliardë dollarë. Nuk është ende e qartë, pasi po vazhdojnë reshjet, në veçanti në Luiziana”, thotë zoti Sabatelli.

Ndërsa uragani Harvey godiste Teksasin, të dhënat e reja tregonin një rritje me 3% të ekonomisë amerikane gjatë muajve prill, maj dhe qershor.

Uragani mund ta dëmtojë përkohësisht rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara, megjithëse sipas ekonomistit Patrick Newport, është herët për vlerësimin e plotë të dëmit.

“Mendojmë se do ta ulë rritjen ekonomike me 0.5% gjatë tremujorit të dytë dhe se ndoshta do ta rrisë gjatë tremujorit të fundit të vitit”, thotë zoti Newport.

Rikthimi i rritjes ekonomike do të vijë prej përpjekjeve për rindërtimin e Hjustonit dhe të zonave përreth.

Niveli i papunësisë në SHBA për muajin gusht ishte në 4.4%, por këtu nuk përfshihen efektet e uraganit.

Vendet e punës të humbura prej stuhisë do të reflektohen në raportin e muajit të ardhshëm për nivelin e papunësisë.

“Ndikimi do të jetë domethënës, pasi shumë shtëpi dhe njerëz u dëmtuan në Teksas dhe në Luiziana”, thotë Mark Hamrick, i kompanisë “Bankrate.com”.

Megjithëse Harvey është një ndër furtunat më të këqija që kanë goditur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara, një ekspert parashikon se rindërtimi i Hjustonit do të jetë më i shpejtë dhe se punësimi aty do të rikthehet shumë më shpejt se në Nju Orlins pas uraganit Katrina.

Edhe përpara stuhisë, Hjustoni kishte një ekonomi më të shëndetshme, më të pasur dhe më të diversifikuar se sa Nju Orlinsi.

“Ekonomia e zonës së Hjustonit është të paktën gjashtë herë më e lartë se ekonomia e Nju Orlinsit... Dëmi ekonomik është gati sa gjysma e dëmeve të uraganit Katrina”, thotë Cullum Clark, i Universitetit Metodist Jugor.

Zoti Clark thotë gjithashtu se industria e naftës, një pjesë kryesore e ekonomisë së Hjustonit, do të rindërtohet me shpejtësi.

Por, ekonomisti nga Nju Orlins, Patrick Newport, thotë se rimëkëmbja do të dojë një kohë të gjatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG