Lidhje

Ekonomia shqiptare ende e ekspozuar ndaj efekteve të krizës greke


Ekonomia shqiptare ende e ekspozuar ndaj efekteve të krizës greke
Ekonomia shqiptare ende e ekspozuar ndaj efekteve të krizës greke

Në Tiranë ekspertë të huaj dhe vendas vlerësuan sot se ekonomia shqiptare gjendet ende e ekspozuar ndaj efekteve të krizës greke, së cilës rrezikon t’i shtohen edhe ato të Italisë. Sipas ekspertit gjerman Jens Bastian Shqipëria mund të gjendet e shtypur mes këtyre dy vendeve. Në një takim të organizuar nga Istituti i Studimeve ndërkombëtare u fol gjatë për pasojat e shumanshme të kësaj situate të provokuar nga kriza e borxheve dhe ekspertët vendas kërkuan që autoritetet të bëjnë kujdes mes parametrat e brishtë të deficitit dhe borxhit publik.

Për efektet e krizës greke në Shqipëri është folur herë pas here, e duket se ajo do të vazhdojë të objekt i debateve mes ekspertëve, përsa kohë shenjat nga ekonomia e fqinjit jugor të Shqipërisë nuk do të jenë pozitive. Në një leksion të mbajtur sot në Tiranë, eksperti gjerman Jens Bastian u shpreh se janë disa, rreziqet të cilat duhen mbajtur parasysh duke përmendur këtu efektin e papunësisë në rritje në Greqi që prek së pari emigrantët, uljen e flukse të kapitaleve të huaja, apo dhe rrezikun e tërheqjes së investitorëve si pasojë e perceptimit të krizës e cila ka prekur edhe vendet e rajonit. Një tjetër rrezik sipas zotit Bastian, një njohës i mirë i realitetit ekonomik grek, lidhet edhe me bankat greke, filialet e të cilave në Shqipëri kanë reduktuar kreditimin e ekonomisë shqiptare.

Kësaj situate i shtohet edhe rreziku i krizës në Itali gjë e cila do ta vinte Shqipërinë, sipas zotit Sebastian, në një pozicion sanduic. “Një shqetësim të madh që unë kam lidhur me Shqipërinë është se nëse kjo krizë nuk zgjidhet shpejt dhe thellë Shqipëria rrezikon të shtypet mes dy vendeve që kanë probleme me krizën e borxhit, mes Greqisë në Jug dhe Italisë në verilindje”.

Nga ana e saj dekania e fakultetit të Ekonomisë në Universitetin europian të Tiranës Luljeta Minxhozi u shpreh se Shqipëria duhet të nxjerrë mësime nga kriza greke. Ajo foli për nevojën e një kujdesi me shifrat mbi parametrat makroekonomikë të vendit si dhe për një qëndrim më realist ndaj treguesve fiskal e monetar.

“Kriza greke filloi si një krizë e borxheve, filloi kur Greqia e kaloi fort kufirin e përcaktuar nga Be për deficitin buxhetor dhe borxhin publik. Praktikisht Shqiperia eshte në ato kufij. Ajo e ka kaluar dy herë kufirin e lejuar të deficitit buxhetor dhe është gati në 60 për qind të nivelit të borxhit ndaj prodhimit të brendshëm kombëtar. Por është shumë i lartë dhe tregon se financat publike nuk janë në gjendje të mirë. Pra duhet të jetë një sinjal i fortë alarmi për një rishikim të gjetjes së burimeve të rifinancimit të shpenzimeve”.

Për drejtuesin e Qendrës së Studimeve ekonomike Zef Preci, mund të flitet edhe për pasoja afatgjata të krizës mbi ekonominë vendase. “Ekonomia shqiptare përbën një shembull që ka shënuar rritje edhe në periudhën e krizës. Por nëse shohim parashikimet për 2011-2016, kjo rritje sipas FMN pritet të jetë në kufijtë 3.4-4.5 për qind, cka është larg pritshmërive dhe është tregues i një rimëkëmbje shumë të ngadaltë dhe tërësisht të varur nga zhvillimet në ekonominë greke, për shkak të dërgesave të emigrantëve”.

Në fakt të ardhurat nga emigrantët shqiptarë pasi arritën nivelin më të lartë në 2007 me afër 952 milion euro nisën menjëherë që në 2008 me shpërthimin e krizës globale një rënie progresive duk arritur në 2010 në 692 euro. Ndërkohë që kjo rënie ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të këtij viti.

Por sipas ekspertit gjerman pasojat mund të mos jenë vetëm në planin ekonomik por edhe atë politik për vendet e Ballkanit. Sipas tij kjo krizë e eurozonës i shtohet lodhjes së Bashkimit europian ndaj Zgjerimit e për pasojë pas anëtarësimit të Kroacisë, vendeve të mbetura ende jashtë mund t’u kërkohen rregullatë reja.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG