Lidhje

Ekspertët: pa angazhimin e publikut, nuk mposhtet koronavirusi


Koronavirusi ka ndalur jetët tona, qytete të tëra janë vendosur nën shtetrrethim dhe ekonomia globale është gjunjëzuar. Po emërtohet, jo më kot, si kriza më e keqe e shëndetit publik e brezit tonë. Drejtuar nga Sarah Zaman, Zëri i Amerikës organizoi një tryezë virtuale me ekspertë nga mbarë bota për t’iu përgjigjur pyetjeve të shikuesve.

Në tryezën virtuale të Zërit të Amerikës (#voac19townhall) kontribuan ekspertë amerikanë dhe ndërkombëtarë. Ish-drejtori i Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se situata për momentin varion nga vendi në vend.

“Ndryshon në pjesë të ndryshme të botës. Këtu ku ndodhem unë, në qytetin e Nju Jorkut, fatkeqësisht duket se gjendemi në një fazë përshpejtimi të madh të pandemisë. Ndërsa në Kinë duket se po i ulen rastet, jemi të shqetësuar për Afrikën ku mund të fillojë një rritje... Ajo çfarë po shohim në Itali është e tmerrshme”, thotë Dr. Frieden.

Dr. Ingrid Katz, nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Harvardit thotë se shkencëtarët po mësojnë shumë gjatë kësaj periudhe, por se nuk po ndihmon fakti që nuk po testohen njerëzit.

“Pamja është paksa e përzier, në kuptimin se kemi shumë më tepër informacion se dy muaj më parë kur filloi përhapja, ndërkohë që po punohet me shpejtësi për një vaksinë dhe ilaçe të mundshme. Por, po na pengon mungesa e testimeve, në këtë vend dhe në pjesë të tjera të botës”, thotë dr. Katz.

Tajvani duket se mësoi nga kriza e virusit SARS. Deri më tani, nga një popullsi prej rreth 23 milionë banorësh, në Tajvan ka vetëm 100 raste me koronavirus.

“Një nga mësimet që nxorrëm nga SARS-i është se nuk mundemi të presim se do të marrim të dhëna të sakta dhe në kohë nga Kina. Kufizimi me sukses i kësaj epidemie në vetëm 100 raste në Tajvan u arrit nëpërmjet kontrolleve të hershme të udhëtarëve, në veçanti nga Kina. Pra është tepër e rëndësishme të veprohet herët dhe me shpejtësi”, thotë Dr. Chang.

Profesor Jason Farley, i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins, është i shqetësuar nga përqindja e lartë e vdekshmërisë që mund të rezultojë të ketë koronavirusi, krahasuar me gripin e zakonshëm. Ai thotë se ndërkohë që për gripin ekziston vaksina dhe ilaçe për të lehtësuar pasojat, si p.sh. Tamiflu, këto nuk ekzistojnë ende për koronavirusin.

“Nuk i kemi asnjë nga këto opsione, megjithëse po testohen. Morëm një lajm jo të mirë për ilaçin Lopinavir Ritonavir, për të cilin Revista Mjekësore e New England thotë tashmë se rezulton joefikas. Pra, për momentin nuk kemi opsione ilaçesh për koronavirusin”, thotë professor Farley.

Dr. Kamiar Alaei, president i Institutit Ndërkombëtar për Shëndetin dhe Arsimin, thotë se në mënyrë që të mbrohen është shumë e rëndësishme që njerëzit të ndjekin praktikat për distancimin social, për të shmangur situata si ato që u krijuan p.sh. në Iran. Ai është i shqetësuar edhe për situatën në Shtetet e Bashkuara.

“Nëse i kthehemi p.sh. krahasimit mes rastit të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, në fazën fillestare pati një lloj mungese transparence dhe ndërgjegjësimi për domethënien e sëmundjes. Në rastin e Iranit, ata u munduan ta ulin rëndësinë e koronavirusit duke e krahasuar me gripin e zakonshëm dhe u përpoqën t’i keqinformojnë njerëzit. Kjo krijoi bazat që shumë njerëz të mos e konsideronin si diçka serioze. Mendoj se kështu ishte edhe në Shtetet e Bashkuara, kur për disa javë nuk u mor seriozisht. Përfundimisht, nëse nuk angazhohet publiku, nuk do e kontrollojmë dot këtë sëmundje”, paralajmëroi Dr. Alaei.

Specialistët e mjekësisë thonë se po kontrollojnë njerëzit për tre simptoma bazë: kollë, temperaturë dhe marrjen e frymës. Megjithëse, ekspertët bien dakort se mbajtja e maskës në fytyrë mund të shërbejë si një kujtesë për ruajtjen e distancave, ata nuk sugjerojnë mbajtjen e maskave nga publiku i gjerë, por vetëm nga ata që janë të sëmurë dhe mjekët. Ekspertët rekomandojnë mbajtjen e dorezave në rast se mendoni se do të prekni sipërfaqe apo persona që mund të jenë kontaminuar, por me kushtin absolut që të mos preket me to fytyra dhe në veçanti sytë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG