Lidhje

Ekspertja e bletëve nderohet me çmim për ruajtjen e mjedisit


Ekspertja e bletëve nderohet me çmim për ruajtjen e mjedisit
Ekspertja e bletëve nderohet me çmim për ruajtjen e mjedisit

Bletët luajnë rol të rëndësishëm në bujqësi, si pjalmuese bimësh dhe burim i sheqerit natyror, mjaltit. Pengesat ndaj mjedisit po dëmtojnë rëndë këto insekte, por së fundmi çmimi Tajlër për ambientalizëm iu dha shkencëtares Mej Berënbom, e cila po përpiqet t’i gjejë zgjidhje krizës së bletëve.

Mej Berënbom thotë se për mijëra vjet, njerëzit kanë pasur marrëdhënie jo të mira me bletët, për shkak të thumbimit të tyre.

“Por nga ana tjetër, njerëzit në të gjithë botën kanë krijuar një varësi ndaj bletës, sepse ajo është me të vërtetë pjalmuesi kryesor në botë. Këtu në Shtetet e Bashkuara, për shembull, mbi 90 bimë varen nga bletët për pllenim”.

Zonja Berënbom thotë se bujqit varen nga bletët për të pjalmuar kultura bimore, nga arra e deri te bostani. Vlera e bimëve që ato pjalmojnë arrin në 19 miliard dollarë çdo vit, vetëm në Shtetet e Bashkuara.

Por në dekadat e fundit kanë humbur shumë bletë gjatë asaj që shkencëtarët e quajnë shkatërrim të kolonive. Në Amerikën e Veriut, ky ka qenë një problem veçanërisht në pesë vitet e fundit. Zonja Berënbom thotë se ka shumë arsye për rënien. Një prej shkaktarëve janë transporti në largësi të mëdha i bletëve për pjalmim dhe përhapja e mëvonshme e sëmundjeve të bletëve nga një rajon në tjetrin.

Berënbom thotë se pasojat e sëmundjeve bëhen edhe më të rënda me praninë e pesticideve nëpër koloni bletësh.

Ndërsa shkencëtarët si ajo studiojnë problemin, ajo thotë se edhe konsumatorët mund të ndihmojnë.

“Sot mund të blesh mjaltë në dyqan sepse ka bletarë vendas që punojnë gjithë kohën. Sa më shumë bletarë të ketë, aq më shumë mjaltë. Për mbi 25 vjet, kemi parë një rënie shqetësuese të numrit të bletarëve. Interesimi tani po rikthehet dhe ky është lajmi më i mirë për bletët në Amerikë: po shtohen bletarët”.

Ajo thotë se njerëzit mund të ndihmojnë gjithashtu bletët me mbjelljen e më shumë luleve dhe duke u bërë më tolerantë ndaj barërave të këqija, disa prej të cilëve ofrojnë ushqim për pjalmues si bletët.

Zonja Berënbom ishte në Los Anxhelos për të marrë çmimin Tajlër për mjedisin, që jepet nga Universiteti i Kalifornisë Jugore. Ajo thotë se shpërblimin prej 200 mijë dollarësh do ta përdorë për të zgjeruar një projekt të saj, që përfshin edhe qytetarët.

“Kemi një projekt të quajtur ‘vrojtuesit e bletëve’, i cili tani vepron vetëm në Illinoi, ku u kërkojmë njerëzve që të marrin një aparat fotografik, madje edhe telefon celular, dhe të fotografojnë grerëza ose bletë mjaltëse”.

Ajo thotë se projekti ka filluar të japë rezultate:

“Një qytetar na dërgoi një fotografi të një specieje të grerëzës, Bombus affinis, që ne mendonim se ishte zhdukur në atë hapësirë, por që u zbulua tani nga një qytetar i thjeshtë me një aparat dixhital”.

Zonja Berënbom thotë se ndër të mirat e bletëve është edhe mjalti që prodhojnë – në aq shumë lloje e me shije të ndryshme sipas luleve vendëse. Përveç punës së saj të rëndësishme si pjalmuese, thotë shkencëtarja, bleta mjaltëse na ëmbëlson edhe jetën.

XS
SM
MD
LG