Lidhje

Ekspozita "Dy herë i huaj" mbi marrëdhëniet greko-turke


Ekspozita në Universitetin Bilgi të Stambollit dokumenton shkëmbimin e detyruar të popullsisë mes Turqisë dhe Greqisë në vitin 1923. Shkëmbimi, për të cilin të dyja vendet ranë dakord, pasoi përpjekjen e dështuar të Greqisë për të pushtuar Turqinë.

Megjithëse përfshiu miliona njerëz, kjo ngjarrje mbeti në përgjithësi një objekt tabu për turqit gjatë shekullit të kaluar, thotë Ayhan Aktar, njëri prej organizatorëve të ekspozitës.

"Shkëmbimi i 1.2 milion grekëve anatolianë me 400,000 myslimanë grekë përmendet vetëm në librat e historisë moderne me një ose dy paragrafë. Themeluesit e republikës bënë shumë gjëra dhe nuk donin as që t’i diskutonin ato. Megjithëse gjerat mund të mbahen në heshtje për disa dekada, ato dalin në shesh dhe ekzpozita pasqyron pikërisht këtë prirje".

Nëpërmjet dëshmive zanore dhe filmike si dhe arkivave filmike, ekzpozita e titulluar "Dy herë i huaj", shpjegon pasojat e migrimit të detyruar dhe shkëmbimeve të tjera të ngjashme gjatë shekullit të 20-të.

Drejtori i pjesës filmike të ekspozitës, Andreas Apostolidis thotë se intervistat me 105 migrantë flasin për një eksperiencë të përbashkët armiqësimi. Ai thotë se kjo përvojë e përbashkët mund të ndihmojë në afrimin e turqve dhe grekëve.

"Edhe shkëmbimet e brezit të dytë dhe të tretë dhe të familjeve të transferuara ende përbëjnë problem, veçanërisht brezi i dytë, që përpiqet të gjejë rrënjët e familjes, të cilat janë në vendin tjetër. Shumë njerëz në Greqi dhe shumë të tjerë në Turqi nuk e konsiderojnë si vend të tyre vendin ku jetojnë sot, por vendin matanë kufirit, ku familjet e tyre jetuan 60 ose 100 vjet më parë".

Marrëdhëniet turko-greke gjatë shekullit të kaluar ishin të tensionuara, herë herë gati në prag lufte dhe për here të fundit kjo ndodhi në vitin 1996 lidhur me pronësinë e një ishulli të pabanuar. Por gjendja është ndryshe në shekullin e 21.

Punonjësi i ekspozitës, Leonidas Liamabeys mirëpret faktin që turqit po pranojnë gjithnjë e më shumë të kaluarën e tyre të përbashkët tragjike.

"Ёshtë diçka që e dinë të gjithë dhe mësohet në shkolla. Njerëzit e dinë dhe kjo pjesë e historisë nuk është haruar aspak. Ёshtë diçka shumë e mire që kjo ekspozitë është hapur sot në Stamboll dhe do të shkojë edhe në Qipro e Athinë. Nuk mendoj se mund të ecim përpara duke haruar të kaluarën, por duke e njohur dhe duke e pranuar atë si pjesë të historisë".

Mes vizitorëve turq në ekspozitë ekziston një etje për të mësuar rreth së kaluarës së tyre të haruar.

"Kjo ekspozitë është shumë prekëse. Ne humbën një pjesë të madhe të kulturës tonë. Unë kam lindur këtu në Stamboll dhe gjithnjë kam jetuar në një distrikt ku grekët, armenët dhe hebrenjtë jetonin së bashku. Brezi i ri u largua prej kohësh dhe vetëm të moshuarit qëndruan këtu, por tani ata të gjithë janë larguar e bashkë me ta është larguar edhe kultura e tyre".

Maria nga Athina është mes një grupi të vogël, por në rritje të grekëve që kanë ardhur kohët e fundit për të punuar në Stamboll. Ajo e mirëpret hapjen e ekspozitës, megjithëse nuk është habitur prej saj.

"Nuk më habisin më gjëra të tilla, do të isha habitur para pak vjetësh, por Turqia ka ndërmarrë hapa të ngjashëm kohët e fundit. Më vjen mirë që kjo ekzpozitë është hapur këtu dhe do të shkojë edhe në Qipro e Athinë".

Ndërsa ekspozita dokumenton kultura dhe tradita të humbura të të dy vendeve si pasojë e evakuimeve, ka shenja të ndryshimeve në Stamboll.

Jo shumë larg ekspozitës, grekët lokalë, që ende banojnë në Stamboll bashkë me turq dhe grekë të tjerë që tani punojnë në këtë qytet, ringjallën karnavalet, që shënojnë fillimin e pashkëve, duke zhvilluar parada. Para një shekulli dhjetra mijëra njerëz mernin pjesë në karnavale të tilla, por vëzhguesit thonë se para një dekade festime të tilla as që nuk mund të imagjinoheshin.

XS
SM
MD
LG