Në shumë shoqëri në botë, roli i gruas nuk vlerësohet dhe gratë janë viktima të dhunës fizike dhe seksuale. Çifti Nicholas Kristof dhe Sheryl WuDunn, të dy gazetarë, dokumentuan hitoritë e disa grave të ndryshme, të cilat i përmblodhën në librin me titull “Gjysma e Qiellit”. Korrespondenti Mike O’Sullivan njofton nga Los Anxhelosi për një ekspozitë të re që i njeh vizitorët me disa nga personazhet e librit dhe mënyrat si mund të ndihmojnë:
Ekspozita në Qendrën Kulturore Skirball prezanton historitë e grave që kanë marrë në dorë fatin e tyre: Saima Muhamad, një pakistaneze e cila ngriti një biznes qëndisjesh, pasi mori një kredi të vogël prej 65 dollarësh dhe arriti të sigurojë pavarësi financiare nga i shoqi, i cili e keqtrajtonte. Po në këtë ekspozitë – Goreti Niabenda, një grua nga Burundi, e cila hapi një biznes për prodhim birre nga bananet, për të mbajtur familjen.
Ekspozita tregon histori të ndryshme të grave që kanë sjellë ndryshime në një shkallë më të gjerë, përfshirë Edna Adan Ismail, ish-zonja e parë e Somalisë. Zonja Ismail, me profesion infermiere, ka zhvilluar fushatë kundër gjymtimit gjenital të grave e vajzave dhe ka përdorur fondet e veta për të ngritur një maternitet në Somaliland.
Historitë e këtyre grave rrëfehen përmes fotografive, punimeve artistike dhe video-klipeve e regjistrimeve zanore:
Në shkrimet e tij në gazetën New York Times, gazetari Nicholas Kristof ka përshkruar trafikun njerëzor për tregtinë e seksit, mohimin e mundësive për arsim dhe abuzime të tjera të grave dhe ai thotë se ekspozita prezanton një numër temash për vizitorët:
“Shpresojmë që vizitorët do të ndërgjegjësohen për faktin se një ndër sfidat qendrore morale të botës sonë është shtypja që vuajnë përditë gra dhe vajza në cepa të ndryshëm të globit. E dyta, shpresojmë se do të kuptojnë se nëse synojnë të realizojnë ndryshime pozitive në vende të tjera, përqendrimi tek gruaja si katalist ndryshimesh është mënyrë më e mirë se shumë të tjera”.
Ekspozita sjell shembuj nga Afrika, India dhe Amerika Latine. Gazetari Kristof i njeh mirë këto gra, ka shkruar për to, por shton se i krijohen emocione të reja kur e sheh përvojën e tyre në këtë ekspozitë:
“Më krijohet një ndjenjë shumë e çuditshme dhe e mrekullueshme kur kaloj nëpër ekspozitë dhe shoh njerëz që i kam njohur prej vitesh, të cilët mund t’i kem takuar në rrethana të tmerrshme. Shoh në një fotografi fytyrën e një vajze të re që e kam takuar për herë të parë në një shtëpi publike në Kamboxhia”.
Në një fotografi shihen fytyrat e dy vajzave kamboxhiane që kanë rënë pre e një rrjeti prostitucioni. Gazetari Kristof u pagoi pronarëve të shtëpisë publike disa qindra dollarë për t’u siguruar vajzave lirinë. Njëra prej tyre arriti të fillojë një jetë të re; tjetra, pasi kishte krijuar vartësi tek droga, u kthye përsëri në jetën e prostitucionit.
Në ekspozitë rrëfehen histori tragjike të grave që kanë vdekur gjatë lindjes. Ky është një problem serioz në vende në zhvillim. Por ka edhe histori optimiste, si për shembull një fotografi që tregon djem e vajza duke luajtur në një qendër arsimore në Indi, e ngritur për të parandaluar trafikimin e fëmijëve për tregtinë e seksit.
Disa nga historitë rrëfehen përmes regjistrimeve zanore. Një grua tregon se si ishte detyruar të punonte në një qendër banimi për të moshuarit:
“Për dy vjet e gjysmë jetova si të isha në ferr, si në burg. Nuk mund të flisja me njeri, nuk mund të largohesha. Isha tepër e depresionuar”.
Autori Nicholas Kristof thotë se ekspozita rrëfen edhe histori shprese, madje dokumenton edhe ndryshimet që po vërehen kudo. Vizitorëve në ekspozitë u jepet një dollar për të investuar në një biznes të ngritur nga një grua, kudo qoftë ajo në botë. Ata mund ta bëjnë investimin përmes një kompiuteri të vendosur në qendër, i lidhur me një faqe interneti për kredi të vogla biznesi.