Lidhje

Terroristët godasin shkollat dhe stacionet televizive


Zyrtarët perëndimorë thonë se ekstremizmi i dhunshëm nuk është përgjegjës vetëm për vdekjet e mijëra civilëve të pafajshëm, po gjithashtu godet shtyllat e civilizimit. Materiali në vazhdim na njeh me objektivat e fundit të sulmeve xhihadiste dhe se si Perëndimi po përpiqet të përballet me militantët.

Një makinë bombë ndaj një furgoni të televizionit në Kabul la shtatë të vdekur ditët e fundit. Talebanët, që e kishin kërcënuar më parë televizionin Tolo, morën përgjegjësinë për sulmin. Sulmi u dënua gjerësisht. Abdullah Khenjani është redaktor përgjegjës në kanalin televiziv 1TV në Afganistan.

“Sulmi ndaj punonjësve të televizionit është sulm kundër lirisë së shprehjes ndaj të gjithë medias në Afganistan. Ky sulm terrorist dhe sulme të tjera nuk do të ndalojnë kurrë gazetarët që të bëjnë detyrën e tyre.”

Ndërkohë militantët në veriperëndim të Pakistanit sulmuan një universitet dhe vranë të paktën 20 njerëz mes tyre studentë dhe profesorë.

Kurse në Irak, trashgimia kulturore u bë objekt sulmi. Imazhet satelitore të porsa publikuara tregojnë se Shteti Islamik ka shkatërruar manastirin më të vjetër të krishterë në Mosul. Suzanne Bott është me Universitetin e Arizonës.

“Kjo është një humbje e madhe për brezat e ardhshëm. Ata nuk do të mund të vizitojnë dhe shikojnë ato çfarë paraardhësit tanë ndërtuan dhe si jetuan.”

Por militantët e Shtetit Islamik pësuan humbje. Pentagoni thotë se sulmet ajrore të aleancës shkatërruan një ndërtesë ku gjendeshin miliona dollarë. Koloneli Steven Warren:

“Nuk kemi shumën egzakte por e dimë se aty ruheshin dhjetëra miliona dollarë. Kështu po ndikojmë tek aftësitë e tyre për të paguar luftëtarët në kohë imediate.”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ashton Carter u takua këtë javë me homologët e tij në Paris ku shpalosi qëllimet e koalicionit ndaj Shtetit Islamik.

“Fillimisht shkatërrimi i ISIL-it në Irak dhe Siri duke eleminuar dy qendrat e fuqishme në Raqqa dhe Mosul. Së dyti lufta ndaj tumorit të ISIL në mbarë botën. Dhe së treti, të mbrojmë njerëzit tanë.”

Deri tani, thonë zyrtarët perëndimorë, mundja e Shtetit Islamik në vendin e origjinës ka qënë një proces i vështirë dhe i ngadaltë. Dy javë pas fitores në Ramadani, ushtarët irakianë ende po shpëtojnë qindra banorë dhe po luftojnë ndaj disa xhepave të mbetur me militantë.

XS
SM
MD
LG