Lidhje

Përgatitjet e fundit për zgjedhjet në Katalonja


Në Spanjë, mbështetësit dhe kundërshtarët e pavarësisë së Katalonjës bënë përpjekjet e tyre të fundit për të ndikuar te votuesit një ditë para zgjedhjeve, që sipas një sondazhi pritet të jenë tepër konkurruese.

Zgjedhjet e së enjtes po mbahen në rrethana të jashtëzakonshme, siç ishte urdhëruar nga qeveria spanjolle kur ajo mori kontrollin e rajonit, shpërndau qeverinë dhe parlamentin rajonal pasi ligjvënësit e Katalonjës shpallën pavarësinë nga Spanja në fund të tetorit.

Disa nga udhëheqësit e rrëzuar, përfshirë ish-presidentin e Katalonjës, Carles Puigdemont, po bëjnë fushatë nga Brukseli ku kanë kërkuar strehim nga drejtësia spanjolle, ndërsa të tjerë janë në burg në Spanjë nën akuzat për rebelim.

"Të gjithë e dinë se fitorja e "Junts per Catalunya" garanton lirimin e të burgosurve, dhe kthimin e atyre që ndodhen jashtë vendit dhe mbi të gjitha do të garantonte një të ardhme për të gjithë bashkë-qytetarët tanë. Miq të dashur, ne duhet të punojmë deri në momentin e fundit për të maksimizuar votat tona më 21 dhjetor, dhe një ditë më vonë do të zgjoheni për të punuar dhe për të ndërtuar vendin më të mirë në botë", tha ish-presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont.

Ata që favorizojnë stabilizimin e Katalonjës dhe rritjen e marrëdhënieve me Spanjën gjithashtu kanë bërë fushatë të madhe në ditët e fundit para votimit të së enjtes.

"Sipas sondazheve, do të ketë një pjesëmarrje të paprecedent, më e larta në historinë tonë, kështu që këto do të jenë zgjedhje vendimtare. Në rast të një fitoreje të partive pro-pavarësisë, formimi i qeverisë do të jetë shumë i komplikuar, sepse rezultati mes koalicioneve do të jetë tepër i ngushtë. Nëse formohet një qeveri pro-pavarësisë, është e mundur që ata të mos vazhdojnë përgjatë rrugës së njëanshme që u tentua në shtator dhe tetor", thotë profesori i të drejtës kushtetuese, Xavier Arbos.

Sondazhet tregojnë se shumica e katalonjasve duan të të kenë të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen e tyre, por janë të ndarë pothuaj në mënyrë të barabartë rreth çështjes së ndarjes nga Spanja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG