Lidhje

Organizatat e pavarura politike dhe zgjedhjet


Më 2010 Gjykata e Lartë hoqi shumë pengesa për mbledhjen e fondeve dhe shpenzimet e grupeve të pavarura politike

Pas shumë vite kufizimesh të forta ligjore, Gjykata e Lartë përmes një numri vendimesh të miratuara në vitin 2010 hoqi shumë pengesa për mbledhjen e fondeve dhe shpenzimet gjatë zgjedhjeve nga ana e grupeve të ndryshme politike. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në garën presidenciale të vitit 2012.

Gara për Shtëpinë e Bardhë nuk është e kufizuar vetëm në fushatat e kandidatëve presidencialë. Ka edhe grupe jashtë tyre që duan të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve. Dhe në garën presidenciale të vitit 2012, këtyre grupeve u është dhënë liria të zgjerohen në mënyrë të konsiderueshme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara mori dy vendime në vitin 2010, që në masë të madhe ndryshoi peisazhin e politikës amerikane. Gjykata e Lartë u pajtua me dy grupe, “United Citizens” dhe “Speech Now” se rregullat ekzistuese të Komisionit Federal të Zgjedhjeve ishin në kundërshtim me Amendamentin e Parë të Kushtetutës mbi garantimin e lirisë së fjalës.
Por kryetarja e Komisionit Federal të Zgjedhjeve thotë se vendimet e Gjykatës së Lartë kanë krijuar më shumë probleme se sa thjeshtë liria e fjalës:

“Vendimet e gjykatës anuluan një ndalim që ishte vondosur mbi shpenzimet e pavaruar nga ana e korporatave në emër të një kandidati”.

Vendimet e Gjykatës së Lartë kanë prekur ligje dhe rregullore që kishin për qëllim parandalimin e kompanive, sindikatave ose individëve shumë të pasur që të përdorin pasurinë e tyre për të ndikuar në procesin politik. Sot, këto vendime kanë ndihmuar në krijimin e komiteteve të fuqishme të veprimit politik, apo “Super PACS”, term që për herë të parë e ka përdorur korrespondenti i gazetës Politico, David Levinthal.

“Ajo që ndryshon është se korporatat, sindikatat dhe grupet e tjera të interesit tani mund të shpenzojnë sa të duan duke dhënë para për organizata të tjera politike të cilat mund të mbledhin dhe shpenzojnë shuma të pakufizuara parash për një kandidat të caktuar”.

Deri në prill këtij viti, komiteti i fushatës së kandidat republikan për president Mitt Romney njoftoi kontribute që kapin vlerën e 86 milionë dollarëve. Në të njëjtën kohë, organizata e quajtur “Rikthimi i Amerikës” pro zotit Romney njoftoi se ka grumbulluar afërsisht 52 milion dollarë.

Kurse fushata për rizgjedhjen e Presidentit Obama, në të njejtën periudhë, ka mbledhur afërsisht 200 milion dollarë.
Agjencitë federale për rregullimin e zgjedhjeve thonë se këto organizata nuk mund të koordinojnë operacionet e tyre me fushatat e kandidatëve. Por një konsulent politik, i cili punon me demokratët , Peter Fenn, thotë se realiteti është ndryshe.

“Shumica e të ashtuquajturve grupe të pavarura nuk janë aspak të pavarura. Ato mund të mos marrin urdhër të drejtpërdrejtë nga kandidati ose partia e tij politike, por ato i njohin mirë platformat politike të kandidatëve. Ato janë pjesë përbërëse e fushatës”.

Ndërsa disa analistë i dënojnë vendimet e Gjykatës së Lartë dhe ngritjen e këtyre organizatave, të tjerët thonë se ligji krijon mundësi të barabarta për të dyja palët për sa i përket grumbullimit të fondeve. Ata thonë se votuesit nuk do të ndikoheshin nga këto grupe. Korrespondenti i gazetës Roll Call, David Drucker thotë:

“Në fund të fundit, votuesit do të shikojnë një reklamë politike dhe ata vetë do të gjykojnë përmbajtjen e saj, dhe jo se kush e krijua reklamën politike ose mbi ç’baza e rregulla u krijua ajo”.

Disa vëzhgues thonë se deri në zgjedhjet e nëntorit, organizata e ashtuquajtura “Super PACS”, mund të mbledhin dhe shpenzojnë më shumë para se sa komitetet e fushatave të kandidatëve presidencial dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG