Lidhje

Ekspozita e Elektronikës së Konsumit


Ekspozita e Pajisjeve Elektronike të Konsumit do të hapet nesër në Las Vegas dhe do të presë vizitorët për katër ditë.

Që në vitin 1995 – por dhe më parë – Ekspozita e Pajisjeve Elektronike të Konsumit në Las Vegas ka qenë aktiviteti kryesor për t’u njohur me të rejat e fundit nga bota gjithnjë në ndryshim e elektronikës dhe pajisjeve vetjake. Kjo ekspozitë u hap për herë të parë në vitin 1967, por në vitin 1995 gjithçka kishte të bënte me drejtimin që bota e kompjuterave do t’i jepte njerëzimit.

Gjatë atij panairi njerëzit ishin të entuziazmuar për lojërat elektronike, disqet “CD-ROM”, satelitët shtëpiakë si dhe për orët e dorës që komunikonin me kompjuterat.
Disa pajisje i mbijetojnë kohërave, ndërsa të tjera shfaqen një herë në Ekspozitën e Elektronikës në Las Vegas dhe nuk i shohim më kurrë.

Rreth vitit 2008, elementi kryesor ishte madhësia e pajisjeve dhe telefonat celularë, për shembull, filluan të prodhoheshin gjithmonë e më të vegjël e të hollë. Stilisti italian Giorgio Armani bashkëpunoi me kompaninë Samsung për të krijuar një telefon celular që ishte sa një kredit-kartë dhe me një trashësi prej vetëm 10,5 milimetrash.

Po në vitin 2008, në fjalimin e tij të fundit kryesor për Ekspozitën, atëherë drejtori ekzekutiv i Microsoftit, Bill Gates, tentoi të parashikonte të ardhmen e teknologjisë. Zoti Gates u tregoi të pranishmëve navigatorin e ri personal të kompanisë, teknologjia e të cilit mund të përdorej duke drejtuar pajisjen tek një person apo një vend i caktuar për të marrë më shumë informacion.

"Ndërsa eci, unë mund të shoh njerëz ose pamje të ndryshme, dhe kjo pajisje do të më ndihmojë. Pra, ndërsa e drejtoj tek ju, pajisja më kujton se më keni borxh një shumë parash. Por nëse e drejtoj tek një kinema, ka gjëra të tjera me të cilat do të më njohë, për shembull do të më tregojë se çfarë filmi po luhet atje, apo nëse ka bileta dhe vende të disponuehsme."

Në Ekspozitën e Pajisjeve Elektronike të Konsumit të vitit 2010, u paraqitën laptopë transparentë si dhe syze me kamera për zhytje nën ujë. Kompania Samsung paraqiti me krenari një kompjuter laptop transparent, me ekran 14 polsh me ndriçim nëpërmjet diodave organike, i njohur si teknologjia OLED. Drejtori i Shoqatës OLED Barry Young përshkroi se si funksiononte ky ekran.

"Është një ekran 14 polsh plotësisht transparent. Kjo do të thotë se në pjesët e tij ku nuk po shfaqet ndonjë pamje mund të shihen objektet pas ekranit."

Nëse dëshironi të xhironi një film amator, prej ekspozitës së vitit 2010 ju mund të zgjidhnit kamerat e vendosura në kaskat për ski, që realizonin video si dhe bënin fotografi me 5 mega pixel apo ato të vendosura në syzet e zhytjes me lentet me kënd të gjerë, të afta për të regjistruar video me rezoluzion të lartë dhe me memorie të madhe.
Ekspozita e vitit të kaluar e ktheu vëmendjen sërish tek përmasat e vogla të pajisjeve.

Kompania LG habiti pjesëmarrësit me televizorin e saj super të hollë 55 polsh me teknologjinë OLED. Por televizorët nuk janë të vetmit që po të prodhohen gjithnjë e më të hollë. Kompjuterët tabletë janë gjithashtu pjesë e kësaj prirjeje.
Kompania Samsung paraqiti kompjuterin e saj të ri tabletë Galaxy 7,7, i quajtur kështu për shkak se ekrani i tij është 7,7 polsh, duke e bërë atë një nga tabletat më të vogla në treg.

Vitin e kaluar, njerëz të famshëm si këngëtari Justin Bieber dhe ylli i emisioneve “reality” Nicole Polizzi, e njohur si "Snooki", paraqitën kufjet e krijuara prej tyre. Ndërsa Kompania Nintendo shpalosi prodhimin e saj të fundit në fushën e lojërave elektronike, Wii-U.

Nuk mbetet gje tjetër veçse të shohim se çdo të sjellë Ekspozita e Pajisjeve Elektronike të Konsumit në Las Vegas për vitin 2013.

XS
SM
MD
LG