Lidhje

Elvir Muriqi: Kam frikë vetëm nga humbja


Boksieri shqiptaro-amerikan nga Kosova Elvir Muriqi kishte në program të ndeshej nesër me ish-kampionin e peshave gjysmë të rënda Zsolt Erdei. Por boksieri hungarez hoqi dorë nga gara, kështu që Muriqi do të ndeshet me australianin Blake Caparello. Ndeshja do të zhvillohet në West Orange të Nju Xhersit dhe do të transmetohet në rrjetin televiziv ESPN2. Julian Zyla i Zërit të Amerikës bisedoi në telefon me Elvir Muriqin, i cili gjatë karrierës së tij si boksier profesionist ka zhvilluar 45 ndeshje: 5 humbje dhe 40 fitore, prej të cilave 24 me knock-out.
Boksieri shqiptaro-amerikan Elvir Muriqi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Zëri i Amerikës: Elvir, në radhë të parë ju falenderoj për kohën që po na kushtoni me këtë intervistë duke patur parasysh që ndeshja juaj është fare pranë dhe ju me siguri jeni ende duke bërë përgatitjet e fundit.
Elvir Muriqi: Faleminderit dhe ju për intervistën. Sot është dita e fundit e trajnimit dhe match-i (ndeshja) do të mbahet të premten.
Zëri i Amerikës: Sa kohë keni që përgatiteni për këtë ndeshje?
Elvir Muriqi: Ka afërsisht katër muaj që përgatitem për këtë takim.
Zëri i Amerikës: Elvir, para pak javësh kur kemi komunikuar bashkë më thatë se ndodheshit në një kamp trajnimi, pra në një kamp stërvitor në Pensilvani. Çfarë ishte konkretisht ky kamp dhe çfarë ndryshimi ka stërvitja atje në krahasim me stërvitjen tuaj të zakonshme në palestër për shembull?
Elvir Muriqi: Stërvitjet janë të njëjta, por kur je në kamp vetëm ha, pi dhe çdo gjë që bën është për boksin. Pra heq problemet e ndryshme nga mendja dhe vetëm përqëndrohesh në trajnim. Kampi është i mirë pasi partnerët e stërvitjes dhe trajnerët i ke aty 24 orë dhe çfarëdo që do të bësh për t’u përgatitur mund ta bësh.
Zëri i Amerikës: Elvir, gjatë karrierës suaj ju jeni marrë me boks por edhe me kickboxing, për t’u rikthyer sërish tek boksi më vonë. Cilat kanë qenë arsyet që ju kanë bërë të kaloni nga njëri sport tek tjetri në momente të ndryshme?
Elvir Muriqi: Boksin e kam filluar i vogël, kur isha 9 vjeç. E kam ushtruar këtë sport tek Bekim Muça në Pejë për një vit e gjysmë. Më pas u mora me kickboxing tek Dritan Kuka dhe Besnik Estrefi në veri. Jam marrë edhe me sporte të tjera si futbolli, por kur merresh me boks profesionist nuk mund të merresh me sporte të tjera, pasi është edhe punë edhe karrierë sportive.
Zëri i Amerikës: Cila është arritja apo fitorja në një ndeshje për të cilën jeni më shumë krenar?
Elvir Muriqi: Natyrisht jam krenar për çdo ndeshje që kam fituar deri më sot. Por e veçantë për mua ishte ndeshja me Antonio Tarver, sidomos nëse do ma kishin njohur si fitoren time. Shumica e atyre që e panë atë takim mendojnë që e fitova unë ndeshjen.., edhe unë mendoj se fitova. Nëse dhe gjyqtarët do kishin vendosur se e kisha fituar unë atë takim, ajo do ishte ndeshja për të cilën do isha më shumë krenar.
Zëri i Amerikës: Ju jeni larguar nga Kosova në vitin 1996, në moshën 17 vjeçare, dhe madje shpesh e quani veten “The Kosovo Kid”, pra Djaloshi i Kosovës. Si do t’i përshkruanit marrëdhëniet tuaja me vendlindjen? A ju rastis të shkoni shpesh në Kosovë?
Elvir Muriqi: Babai, nëna dhe vëllai kanë qenë në Amerikë që në vitin 1994 dhe babai mori dokumentet për krejt familjen më 1995. Kështu në vitin 1996 unë me dy motrat e mia erdha këtu për t’iu bashkuar familjes. Këtu nisa të merresha sërish me sport. Por që në kohën e luftës në Kosovë (1998/1999) babai dhe motra janë atje dhe ne udhëtojmë shpesh midis Kosovës dhe Amerikës, pasi gjysma e familjes është atje dhe gjysma këtu në SHBA.
Zëri i Amerikës: Çfarë i kujton apo i thotë vetes Elviri, para ndeshjes, apo gjatë ngjitjes në ring?
Elvir Muriqi: Nëse je njeri normal, natyrisht që ke frikë..., jo frikë të ndeshesh me ndokënd apo se do të pësosh ndonjë traumë ose diçka të ngjashme, por frikë nga humbja. Mundohesh të mbledhësh veten, me mendime, me ndjenja..etj, duke u përqëndruar vetëm tek ndeshja për të qenë në gjendje të japësh maksimumin tënd në takim. Kështu unë mundohem që adhuruesit e mi dhe shqiptarët kudo që janë t’i bëj krenarë me mua si njeri dhe sportist. T’i tregoj kështu dhe botës që edhe ne shqiptarët mund të arrijmë sa të tjerët.

Zëri i Amerikës: Elvir, duke ju faleminderuar për intervistën, ju uroj suksese në takimin tuaj të së premtes, por edhe në karrierën tuaj në vazhdim.
Elvir Muriqi: Ju faleminderit shumë, dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë i falenderoj për përkrahjen.
XS
SM
MD
LG