Lidhje

Pasojat pas nxjerrjes së emaileve të Trump Junior


Presidenti Donald Trump i doli dje në mbrojtje përpjekjes së tij për të zbutur marrëdhëniet me Rusinë në një intervistë me rrjetin e transmetimeve “Christian Broadcasting Network”. Presidenti i doli gjithashtu në mbrojtje të birit, Donald Junior, një ditë pasi u publikuan emaile që tronditën administratën aktuale. Nga këto emaile mësohej për një takim vjet mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe një juristeje ruse, e cila kishte ofruar informata që mund të dëmtonin rivalen e zotit Trump në zgjedhje, Hillary Clinton.

Në një intervistë me rrjetin Christian Broadcasting Network, Presidenti Trump tha se ai shkon shumë mirë me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Mendoj se është e rëndësishme të zhvillojmë dialog; nëse nuk bëjmë dialog dalin probleme të mëdha për vendin tonë dhe për vendin e tyre. Mendoj se na duhet dialogu,” tha zoti Trump.

Presidenti përdori edhe Twitterin për t’i dalë në mbrojtje të birit, Donald Junior, pasi u nxorën emaile ku kishte hollësi mbi një takim vitin e kaluar mes një juristeje ruse që kishte ofruar të jepte informata që do të dëmtonin Hillary Clintonin.

Përsëri zoti Trump e cilësoi procesin hetimor mbi rolin e Rusisë si “gjueti shtrigash”. Por zyrtari i propozuar nga zoti Trump për të kryesuar FBI-në, Christopher Wray nuk ishte dakord me këtë cilësim gjatë seancës për konfirmimin e tij:

“Besnikëria ime i takon Kushtetutës, shtetit ligjor dhe misionit të FBI-së. Askush nuk më ka kërkuar t’i betohem për besnikëri gjatë këtij procesi dhe nuk diskutohet që nuk do ta bëja,” tha zoti Fray.

Informacioni i dalë nga emailet e Donald Trump Junior-it e ka detyruar Shtëpinë e Bardhë të hidhet në mbrojtje dhe është pasuar me shqetësime të ngritura nga demokratët:

“Asgjë nuk është vërtetuar ende, por tani kemi të bëjmë me më tepër se pengim të procesit të drejtësisë. Këtu flitet për dëshmi të rreme, ndoshta edhe tradhti,” tha Senatori demokrat Tim Kaine.

Edhe disa republikanë shprehën shqetësim, përfshirë kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

“Kam mbështetur emërimin e Robert Muellerit si prokuror i posaçëm dhe mendoj se duhet t’i japim mundësi atij dhe ekipit të tij, të bëjnë punën”.

Tronditja e shkaktuar në Uashington pas nxjerrjes së emaileve e ka detyruar Shtëpinë e Bardhë të hidhet në mbrojtje lidhur me kontaktet me Rusinë, thotë analisti Kyle Kondik:

“Kjo rrymë e pandërprerë artikujsh negativë lidhur me Rusinë është së paku një shpërqëndrim për Shtëpinë e Bardhë; por mbetet për t’u parë nëse paraqet edhe një kërcënim ligjor për administratën e zotit Trump dhe ekipin e tij”.

Analisti John Fortier tha për Zërin e Amerikës se shqetësimi i publikut për hetimet mbi Rusinë e ka dëmtuar dukshëm nivelin e popullaritetit të presidentit:

“Kur ai shkarkoi nga detyra Jim Comey-in, ra në anketa. Aktualisht ka aprovimin e rreth 40% të publikut. Këto çështje nuk ka të ngjarë të zhduken nga skena dhe nuk e ndihmojnë presidentin”.

Vëmendja që po i kushtohet administratës Trump dhe kontakteve me Rusinë ka ndërlikuar edhe përpjekjet e republikanëve për të shfuqizuar e zëvendësuar ligjin për kujdesin shëndetësor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG