Lidhje

Shpallja e gjendjes së emergjencës, premisë për një betejë politike dhe ligjore


Presidenti amerikan Donald Trump shpalli emergjencën kombëtare për të mundësuar fondet për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara. Janë krijuar kështu edhe premisat për një betejë të gjatë ligjore, e cila mund të përcaktojë edhe limitet e fuqive të presidentit amerikan. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, William Gallo, kjo lëvizje ka krijuar edhe një ndasi brenda vetë Partisë Republikane.

Presidenti Donald Trump mund të ketë përmbyllur betejën për buxhetin federal, por kur ai shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare, mund t’i ketë hapur derën një mosmarrëveshjeje shumë më të madhe.

“Është një masë e mrekullueshme, pasi kemi një pushtim nga drogat, bandat dhe njerëzit, dhe kjo është e papranueshme”, u shpreh Presidenti Trump.

Arsyetimi refuzohet edhe nga anëtarë të vetë Partisë Republikane të Presidentit Trump, të cilët thonë se ai po abuzon me fuqitë për situatat e emergjencës dhe se po anashkalon Kongresin.

“Ky duhet të jetë në thelb roli i Kongresit dhe shqetësohem se kështu mund t’i hiqet përgjegjësia Kongresit që të bëjë punën që i takon”, thotë Ligjvënësi republikan Tom Reed.

"Nuk është emergjencë ajo çfarë po ndodh në kufi. Është një sfidë humanitare për ne. Presidenti po përpiqet t’ja shesë këtë faturë popullit amerikan”, tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Presidentë të mëparshëm nga të dyja kahet e politikës kanë ushtruar gjithnjë e më shumë autoritetin ekzekutiv për të zbatuar politikat e tyre.

Por, duket se Presidenti Trump po vë në përdorim një ndër mekanizmat më të guximshëm të emergjencave, për një politikë kaq të debatueshme.

“Ai ka pretenduar vazhdimisht se do të përdorë fuqitë e gjendjes së emergjencës për të anashkaluar Kongresin dhe kjo përfaqëson një rast shumë të rrallë të përdorimit të fuqive të emergjencës nga presidentët amerikanë”, thotë Andrew Boyle, i Qendrës “Brennan” për Drejtësinë.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se ky vendim i Presidentit mund të krijojë një precedent.

“Mund të themi që emergjencë kombëtare është ngrohja globale. Mund të themi që emergjencë kombëtare është mungesa e një sistemi të përballueshëm të kujdesit shëndetësor. Mund të themi se të pastrehët janë një emergjencë kombëtare. Këto janë shumë më bindëse se nevoja për të ndërtuar një mur sigurie”, thotë Paul Schiff Berman, profesor i juridikut në Universitetin “George Washington”.

Presidenti Trump mund t’i ketë ulur vetë mundësitë e tij për ta fituar një betejë ligjore, kur u duk të premten se sugjeroi që situata në kufi nuk është një krizë imediate.

“Mund ta kisha ndërtuar murin për një periudhë më të gjatë kohore. Nuk e kisha të nevojshëm këtë veprim, por do të preferoja ta realizoja më shpejt”, tha Presidenti Trump.

Ka gjasa që Kongresi të përpiqet ta rrëzojë shpalljen e emergjencës kombëtare nga Presidenti. Por, për momentin nuk duket se ekzistojnë numrat e mjaftueshëm në Kongres për të rrëzuar veton që mund të vendosë Presidenti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG