Firma Emergent BioSolutions është duke punuar për terapi të mundshme që synojnë trajtimin e koronavirusit. Kompania thotë se deri në verë mund të ketë arritur në fazën 2 të provave klinike.
Emergent BioSolutions, një kompani biofarmaceutike në Gaithersburg të shtetit Maryland, merret me prodhimin e vaksinave, krijimin e terapive me antitrupa për sëmundjet infektive, mbidozat për personat e droguar dhe siguron pajisje mjekësore për qëllime të mbrojtjes biologjike.
Shefi ekzekutiv i firmës, Robert Kramer, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se kompania po zhvillon terapi për kurimin e koronavirusit:
"Kemi filluar dy programe, njëri bazohet në plazmën njerëzore ndërsa tjetri në plazmën e kuajve," tha zoti Kramer.
"Ky produkt do të jetë i efektshëm për personelin mjeksor që ka nevojë për mbrojtje të menjëhershme dhe që punon qoftë në shtëpitë e të moshuarve ose në spitale. Dhe së dyti, nëse ka pacientë në spitale që kanë komplikime të rënda nga koronavirusi, kjo mund të jetë e dobishme sepse është në thelb një terapi shpëtimi.”
Sipas zotit Kramer, terapi si këto mund të çojnë në një ulje të kohës që pacienti qëndron në repartin e urgjencës ku kërkon mbështetje me oksigjen dhe rrjedhimisht në ulje të mundshme të vdekshmërisë.
Firma Emergent po punon gjithashtu me kompanitë Novavax dhe Vaxart për të zhvilluar një vaksinë që trajton koronavirusin.
"Sa i përket bashkëpunimit me firmën Novavax, shpresojmë të jemi në fazën 1 të provave klinike në qershor të këtij viti, pra pas pak muajsh," tha zoti Kramer. "Ndërsa me firmën Vaxart, shpresojmë të jemi në fazë provash gjatë gjysmës së dytë të këtij viti."
Facebook Forum