Lidhje

Emi Uainhauz le një trashëgimi të paktë por të fuqishme muzikore


Emi Uainhauz le një trashëgimi të paktë por të fuqishme muzikore
Emi Uainhauz le një trashëgimi të paktë por të fuqishme muzikore

Emi Uainhauz, këngëtarja e famshme britanike e muzikës soll-xhaz u gjet dje e vdekur në shtëpinë e saj në Londër. E lindur në vitin 1983, ajo u rit në zonën veriore të Londrës dhe e filloi karierën e saj muzikore në moshë shumë të re. Uainhauz u bë e famshme me albumin "Back to Black" në vitin 2006.

Pak artistë e kanë përmbledhur karierën e tyre në një këngë të vetme, në një rresht, aq mirë sa Emi Uainhauz.

“Ata u përpoqën të më detyrojnë të shkoj për rehabilitim”, thoshte ajo në këngën me famë botërore të 2006s, “Rehab”. “Unë thashë: ‘Jo, jo jo’”.

Ndonjë herë ajo edhe pranonte, por megjithë trajtimin në spitalet dhe klinikat më të mira, nuk mundi t’i braktiste alkoolin dhe drogat që influencuan në karierën e kësaj këngëtareje me një zë të veçantë dhe me interpretime të një kolazhi zhanresh muzikore që premtonte shumë.

Në jetën e saj të shkurtër, Uainhauz shpesh ishte në titujt e lajmeve për shkak të abuzimit me alkoolin dhe drogat, për mungesën e regjimit të të ngrënit, për marrëdhëniet e paqendrueshme dhe për anullimin e shfaqjeve.

Megjithatë, trashëgimia e saj e paktë muzikore do të mbetet e fuqishme.

Këngëtarja u gjet e vdekur dje nga ekipi i ambulancës së ndihmës së shpejtë që u thirr në shtëpinë e saj në lagjen Kamden në veri të Londrës, një Mekë kulturore e të rinjve, e njohur për skenën e saj muzikore, klubet dhe drogat e paligjshme.

Shërbimi londinez i ambulancës tha se Uainhauz kishte vdekur para se ekipi i ndihmës të mbërrinte në shtëpinë e saj, në Sheshin e famshëm Kamden. Shkaku i vdekjes nuk u përcaktua menjëherë.

Vdekja e saj nuk ishte krejt e papritur, por lajmi tronditi miliona njerëz në mbarë botën.

Dashamirësit u mblodhën jashtë shtëpisë së saj për ta nderuar. Miku i saj, këngëtari dhe producenti britanik i filmit, Reg Travis, u pa aty pranë.

Tifozi i saj francez, 23-vjeçari Emilien Krispo, i tha televizionit të Associated Press-it se Uainhauz pruri në muzikë një stil mahnitës.

“Ajo ishte një këngëtare e madhe. Fakti që ajo solli shumë gjëra nga vitet 60-të dhe stilin më të mirë soll me një timbër modern, ishte diçka mahnitëse. Për mendimin tim, ashtu si në Francë, ajo kishte një numër shumë të madh tifozësh në gjithë botën. Lajmi për vdekjen e saj është me të vërtetë i rëndë”.

Hillari Foks, gazetare e Associated Press-it për argëtimin tha se vdekja e Uainhauzit në një moshë kaq të re është e dhimbëshme.

"Emi Uainhauz ishte vetëm 27 vjeç kur vdiq dhe për fat të keq kjo e bën atë pjesë të një grupi yjesh të muzikës që kanë vdekur rreth të njejtës moshë, si Kurt Kobein, Xhenis Xhoplin dhe Xhimi Hendriks”.

Uainhauz u pa për herë të fundit në publik në një koncert në Londër të mërkurën, kur doli në skenë me Dionë Brumfild.

Ajo u bë e famshme me albumin “Back to Black” një kolazh zhanresh muzikore, xhaz, soll, rrok dhe pop klasik që u bë hit botëror. Albumi fitoi pesë çmime Grammy dhe e bëri Emi Uainhauz një nga yjet më të njohura të muzikës.

“Unë nuk dola në publik për t’u bërë e famshme”, i tha Uainhauz Associated Press kur u publikua albumi. “Unë jam vetëm muzikante”.

XS
SM
MD
LG