Lidhje

Kërkimet për avionin mund të shtrihen në Oqeanin Indian


Shtetet e Bashkuara thonë se kërkimi për avionin e humbur malajzian mund të shtrihet edhe në Oqeanin Indian, në perëndim të vendit ku u arrit të kontaktohej për herë të fundit me avionin me 239 vetë në bord.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha sot se ka informacion të ri – megjithëse jo përcaktues - sipas së cilit Boeing 777 mund të ketë devijuar nga itinerari Kuala Lumpur – Beijing dhe të ketë shkuar drejt Oqeanit Indian. Zoti Carney tha se Shtetet e Bashkuara po konsultohen me vende të tjera të angazhuara në përpjekjen masive për të gjetur avionin, në mënyrë që të gjejnë anijet dhe avionët e përshtatshëm për t’i dislokuar në Oqeanin Indian për të zgjeruar operacionet e kërkimit.

Ndërkohë zyrtarët malajzianë kanë hedhur poshtë njoftimet se aeroplani i zhdukur me pasagjerë vazhdoi të fluturonte edhe disa orë pasi humbi kontaktet.

Ministri i transportit Hishamuddin Hussein tha sot se Malaysian Airlines u ka kërkuar informacione shpjeguese kompanisë prodhuese të avionit, Boeing dhe prodhuesit të motorit Rolls Royce, lidhur me disa të dhëna nga të cilat supozohet se aeroplani ka fluturuar edhe 4 mijë kilometra gjatë katër orëve të fundit.

“Malaysian Airlines i ka kërkuar firmave Rolls Royce dhe Boeing hollësi rreth të dhënave. Sipas dy kompanive, njoftimet në media janë të pasakta.”

Njoftimet e sotme nga gazeta Wall Street Journal, citojnë mendimet e zyrtarëve amerikanë të bazuara në të dhënat e dërguara automatikisht në tokë nga motori i avionit.

Dje u publikuan disa mazhet satelitore kineze, ku media shtetërore thoshte se tregonin tre objekte të mëdha pranë trajektores së fluturimit drejt Pekinit. Aeroplanë malajzianë dhe vjetnamezë e kontrolluan zonën në Detin e Kinës Jugore dhe nuk gjetën gjë.
Zoti Hussein tha se vendi i tij kishte kontaktuar me ambasadën kineze, e cila sipas tij kishte thënë se imazhet e publikuara ishin të gabuara dhe se nuk tregonin mbetje të aeroplanit.
XS
SM
MD
LG