Lidhje

Presidenti turk Erdogan viziton Tiranën


Shqipëria dhe Turqia nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë rajonale. Ministrat e brendshëm të dy vendeve nënshkruan marrëveshjen para presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani dhe atij të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili po kryen një vizitë disaorëshe në Tiranë. Ngjarjet e dhunshme në Maqedoni zunë po ashtu një vend kryesor në konferencën e dy presidentëve.

Erdogan viziton Tiranën
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

“Në Ballkan ka nga ata që duan të cënojnë paqen dhe sigurinë, - tha presidenti Erdogan, - ndaj ne i kushtojmë shumë rëndësi paqes, qëndrueshmërisë dhe mirëqenies së Ballkanit. Ne dëshirojmë që acarrimet e krijuara këto kohët e fundit në Maqedoni të zgjidhen përmes dialogut dhe të realizohet ajo paqe, që siguron marrëveshja e Ohrit” - tha zoti Erdogan.

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ngushëlloi për humbjet e jetëve njerëzore dhe tha se kriza që ka përfshirë Maqedoninë nuk duhet të përshkallëzohet. Zoti Nishani tha se i gjendej pranë në solidaritet të plotë qytetarëve të Kumanovës, që mbetën të pasigurtë për jetën dhe pronën, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje, qetësi dhe maturi në përballimin e kësaj situate tejet të vështirë.

“U bëj thirrje aktorëve ligjzbatues të hetojnë sa më parë dhe të zbardhin shpejt e plotësisht këtë ngjarje plot hije e paqartësi që ka tronditur thellë jo vetëm Kumanovën dhe qytetarët e saj të pafajshëm por të gjithë rajonin dhe partnerët ndërkombëtarë. Po kështu, bëj thirrje për frenimin e menjëhershëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episod të paqartë, gjithsesi të izoluar, në burim konflikti të paqenë ndëretnik, dhe në vend të saj përqëndrimin e energjive në zgjidhjen e të gjitha çështjeve mes palëve, me dialog, përfshirë zbatimin e plotë e paekuivok të Marrëveshjes së Ohrit” - tha zoti Nishani

Lidhur me luftën kundër terrorizmit, presidenti Nishani tha se Shqipëria është pjesë e koalicionit kundër ISIL dhe po jep çdo ndihmesë për paqen dhe sigurinë. Presidenti i Turqisë Erdogan tha se marrëveshja e sotme me Shqipërinë ka shumë rëndësi. Presidenti Erdogan tha se vendi i tij ka vuajtur shumë nga terrorizmi. “Aktualisht Turqia po strehon afro 2 milionë refugjatë; 1 milionë 700 mijë sirianë dhe 300 mijë irakianë. Turqia ka harxhuar për ta 5 miliardë dollarë, pra po paguan paguan faturën e kësaj dhimbjeje, por për këta njerëz duhet një zgjidhje e qëndrueshme” - tha zoti Erdogan.

Presidenti turk Erdogan u takua në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, me të cilin bisedoi mbi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Presidenti Erdogan mori pjesë në fillimin e punimeve dhe vuri gurin e parë në xhaminë e e Namasgjasë, financuar rreth 30 milionë euro nga Turqia, dhe pritet të bisedojë me Forumin e Biznesit Shqipëri - Turqi, shkëmbimet tregtare mes të cilëve shkojnë rreth 500 milionë dollarë, duke zënë vendin 4 në partnerët ekonomikë të Tiranës. Në Shqipëri veprojnë aktualisht 296 kompani turke, të cilat kanë investuar 2,7 miliardë dollarë.

XS
SM
MD
LG