Lidhje

Nderimet e fundit për ish-kryeministrin etiopian Zenawi


Meles Zenawi e udhëhoqi vendin për më shumë se 20 vjet

Sot në kryeqytetin Adis Abeba të Etiopisë u zhvillua funerali shtetëror për kryeministrin Meles Zenawi, i cili e udhëhoqi vendin për më tepër se 20 vjet. Në funeralin ku morën pjesë mijëra vetë ishin të pranishëm kryetarë shtetesh, si dhe një delegacion i Shteteve të Bashkuara. Mes tyre ishin presidenti i Ruandës Paul Kagame, presidenti i Ugandës Yoweri Musevini dhe ish-presidenti jugafrikan Thabo Mbeki.

Presidenti jugafrikan Jacob Zuma tha se Afrika ka humbur një nga bijtë më të mëdhenj të kontinetit, ndërsa ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Susan Rice e përshkroi atë si “një udhëheqës të pazakontë” dhe “një vizionar të rrallë”.

Zoti Meles vdiq në Belgjikë pas një sëmundjeje të gjatë. Ai e udhëhoqi vendin që kur erdhi në pushtet në vitin 1991.

Meles Zenawi ishte një udhëheqës i vlerësuar jashtë vendit, për përmirësimin e ekonomisë etiopiane, si dhe arritjet në fushën e arsimit dhe të shërbimit shëndetësor. Por ai u kritikua ashpër nga organizatat e të drejtave të njeriut për shkelje të ndryshme në këtë fushë, përfshirë kufizimet ndaj medias së lirë.

Pas ceremonisë, arkivoli me trupin e zotit Mele u çua në Katedralen Holy Trinity, ku ai u varros pranë me udhëheqës të tjerë të Etiopisë, mes tyre edhe ish-perandori Haile Selassie.
XS
SM
MD
LG