Lidhje

Përparim në bisedimet për daljen e Britanisë nga BE


Britania dhe Bashkimi Evropian njoftuan se kanë tejkaluar ngërçin, duke bërë një përparim të premten mbi kushtet e daljes së vendit nga blloku evropian. Çështja e kufirit irlandez dhe të drejtat e shtetasve britanikë që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian kanë bllokuar prej një kohe të gjatë negociatat mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian.

Duke folur së bashku me Kryeministren britanike Theresa May në Bruksel, Presidenti i Komisionit Europian tha se negociatat për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian tani duhet të përqëndrohen në çështjet tregtare.

"Në bazë të mandatit që më është dhënë nga Këshillit Evropian, komisioni ka vendosur formalisht që t'i rekomandojë Këshillit Evropian se është bërë përparim i mjaftueshëm për kushtet e vështira të ndarjes", tha Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

"Unë e mirëpres mundësinë e ecjes përpara, kalimin në fazën e bisedimeve për tregtinë, sigurinë dhe marrëdhëniet pozitive dhe ambicioze në të ardhmen që janë në interesin e të gjithëve", tha Kryeministrja britanike, Theresa May.

Në takimin e ardhshëm në Bruksel, udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të miratojnë marrëveshjen mbi kushtet financiare të Britanisë, statusin e kufirit irlandez dhe të drejtat e qytetarëve të prekur nga çështja Brexit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG