Lidhje

BE arrin marrëveshjen për buxhetin


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian arritën sot marrëveshjen për buxhetin afat-gjatë të grupit, që përbën një shkurtimin e parë të shpenzimeve në historinë e organizatës. Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë sot se blloku kishte vendosur një tavan prej 1.3 trilionë dollarësh për buxhetin për periudhën 2014 deri në 2020. Udhëheqësit e BE-së e arritën marrëveshjen pas një takimi dyditor të nivelit të lartë në Bruksel. Në një mesazh në Twitter sot, Presidenti i BE-së Herman Van Rompuy tha “Marrëveshja u arrit!”. Këtë verë BE-ja do të ketë zyrtarisht 28 anëtarë, pas pranimit edhe të Kroacisë. Dokumenti duhet të marrë tani miratimin e Parlamentit të Evropës, ku duket se do të hasë në rezistencë të konsiderueshme:

Arritja e marrëveshjes është kurorëzimi i një ekuilibri delikat mes kërkesave të vendeve veriore evropiane, si Britania dhe Holanda që kërkonin shkurtime buxhetore dhe vendeve jugore dhe lindore, si Franca dhe Polonia që kërkonin të mos prekeshin subvencionet për bujqësinë dhe fondet për projektet në infrastrukturë.

Edhe nëse finalizohet marrëveshja mes udhëheqësve, dokumenti duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian, ku forca të ndryshme politike janë shprehur me skepticizëm:

Britaniku Nigel Farage shprehet i pakënaqur me mungesën e reformave për kontroll më të fortë të buxhetit:

“Asgjë s’ka ndryshuar në realitet. Dyzet për qind e parave deri në vitin 2020 do të përfundojnë përsëri në xhepat e miliarderëve dhe agro-bizneseve të mëdha, të cilat marrin subvencione thjesht për faktin se kanë në pronësi tokë bujqësore. Nuk ka asnjë garanci që manipulimet ekzistuese në buxhet dhe që i nxjerrin në pah auditorët çdo vit, do të eliminohen”.

Shuma e propozuar pasqyron një reduktim prej 12 miliardë eurosh krahasuar me projekt-buxhetin e mëparshëm, ose afro 3 për qind ulje në raport me kurnizën financiare të shtatë vjetëve më parë, hera e parë në historinë e BE-së që projekt-buxheti pasqyron një ulje neto të shpenzimeve. Por këto shkurtime janë të pamjaftueshme, për belgun Guy Verhofstdt, anëtar i Parlamentit Evropian:

“Nuk mendoj se do të ketë një shumicë në parlamentin evropian për ta miratuar këtë propozim, pasi është thjesht kopje e Kornizës Financiare të miratuar shtatë vjet më parë. Përveç kësaj, ata kanë krijuar një deficit prej mbi 50 miliardë eurosh, gjë që s’është e pranueshme”.

Marrëveshja e diskutuar nga udhëheqësit e BE-së ka lënë të zhgënjyer një numër lëvizjesh në Evropë. Megjithë presionin nga disa qarqe konservatore, subvencionet bujqësore mbeten të paprekura, ndërkohë që Partitë e Gjelbra kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e një angazhimi më të madh në mbështetje të teknologjive me burime të ripërtëritshme.
XS
SM
MD
LG