Lidhje

Takim i ministrave të financave të BE


Takimi pason mesazhin e zymtë që Drejtorja Menaxhuese e FMN-së Christine Lagarde u dërgoi mbrëmë vendeve të eurozonës.

Ministrat evropianë të financave shqyrtuan sot në Luksemburg rrugët për të forcuar sektorët e tyre bankarë. Shqetësimi kryesor ishin problemet që kanë prekur sistemin bankar të Spanjës. Ndërkohë, zyrtarët grekë theksuan se ekonomisë së tyre i duhet të rifitojë besimin e tregjeve.

Takimi i sotëm pasoi mesazhin e zymtë që Drejtorja Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde u dërgoi mbrëmë vendeve të eurozonës:

Christine Lagarde, Drejtore Menaxhuese e FMN:

"Fondi Monetar beson se një veprim i vendosur drejt bashkimit të plotë monetar evropian duhet ripohuar, për të rivendosur besimin në sistemin sepse siç e shohim për momentin, qëndrueshmëria e sistemit monetar evropian është vënë në pikëpyetje", tha zonja Lagarde.

Ajo kërkoi gjithashtu që eurozona ta kanalizojë ndihmën direkt te bankat dhe jo përmes qeverive. Por kreditimet e drejtpërdrejta janë kundërshtuar nga Gjermania dhe nuk janë të mundura sipas rregullave të tanishme.

Diskutimi është pjesë e një debati më të gjerë për mënyrën se si duhet vepruar që Bashkimi Evropian të lëvizë drejt një “bashkimi bankar”.

Ministri gjerman i financave, Wolfgang Shauble u tha gazetarëve se kjo ështje do të jetë në qendër të diskutimeve në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Bruksel javën e ardhshme.

Ndërkohë, ministri grek i zhvillimit Kostis Haxhidakis
tha në një konferencë shtypi se ekonomisë greke i duhet të rifitojë besimin e humbur:

Kostis Haxhidakis, ministri grek i zhvillimit:

“Ne jemi ende në buzë të greminës. Nuk dua të dukem si populist apo ta rëndoj situatën. Por pikërisht për këtë arsye ne jemi të vendosur të bëjmë më të mirën. Për mua, fjala kyç është “besimi”. Ne duhet të rifitojmë besimin e tregjeve dhe të investitorëve,” tha ministri i ri grek i zhvillimit.

Qeveria e re greke përballet me trysninë për të zbutur masat e ashpra ekonomike të imponuara nga Bashkimi Evropian në shkëmbim të paketës financiare të shpëtimit.
XS
SM
MD
LG