Lidhje

BE mund të lehtësojë kushtet e ndihmës financiare për Greqinë


Greqia është në vitin e pestë të recesionit ekonomik dhe ka nivel të lartë papunësie

Bashkimi Evropian tha se pret lehtësimin e kushteve të rrepta shtrënguese ndaj Greqisë për paketën a ndihmave financiare. BE-ja mund të bjerë dakord për ndryshime në paketën financiare të Greqisë në muajt e ardhshëm.

Greqia është në prag të krijimit të një qeverie të re koalicioni pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës, dhe një zyrtar i lartë i BE-së i cili u shpreh në kushte anonimiteti tha se duke marrë parasysh se gjendja e ekonomisë po përkeqësohet do të ishte e “gabuar” të vazhdohet me zbatimin e kushteve të tanishme të ndihmës financiare.

Ai tha se detyrimi i Greqisë për zbatimin e të gjitha kushteve të paketës financiare prej 168 miliardë dollarësh që u miratua në fillim të këtij viti “do të ishte besim në një iluzion”. Ai tha se është pa kuptim të thuhet se kushtet e paketës së ndihmave nuk duhet të rinegociohen.

Greqia është në vitin e pestë të recesionit ekonomik dhe ka nivel të lartë të papunësisë. Udhëheqësi i partisë konservatore Demokracia e Re Antonis Samaras, i cili është në prag të krijimit të një qeverie të re me socialistët grekë, po bën thirrje për një shtyrje 2 vjeçare të afatit të vitit 2014 për Greqinë që ajo të arrijë një buxhet me bilanc pozitivë.
XS
SM
MD
LG