Lidhje

Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Iranit


Analistët thonë se sanksionet nuk kanë ndikuar në përpjekjet e Iranit për prodhimin e armëve bërthamore.

Qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian vendosën të hënën t’i ashpërsojnë sanksionet kundër Iranit për shkak të programit të tij bërthamor. Zyrtarë të BE-së dhe ata amerikanë thonë se këto sanksione janë shumë të rëndësishme për të parandaluar përpjekjet e Iranit për zotërimin e armëve bërthamore. Por disa analistë thonë se sanksionet kanë dështuar të realizojnë një gjë të tillë, ndërkohë që kanë shkaktuar vuajtje për iranianët, ndërsa vlera e monedhës iraniane ka rënë ndjeshëm.

Kontrabandistët më të sofistikuar të Iranit; një ushtri adoleshentësh, që vijnë nga Omani, nga ana tjetër e ngushticës së Hormuzit, duke shmangur tarifat doganore për të shitur lloj-lloj artikujsh në portet jugore të Iranit.

Por kontrabandistët thonë se rënia e ndjeshme e vlerës së monedhës iraniane bën që vetë iranianët të mos jenë në gjendje të përballojnë artikujt e tyre të futur kontrabandë.

Ministrat e BE-së vendosën të hënën të shtojnë sanksionet kundër Iranit dhe dje përfshinë në listë më shumë se 30 firma iraniane. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor zhvillohet për qëllime civile, madje mohon akuzat se po përpiqet të prodhojë një bombë atomike.
Perëndimi thotë se sanksionet janë mënyra më e mirë për t’i bërë presion Iranit dhe për të shmangur konfliktin ushtarak. Guido Westerwelle është ministri i Jashtëm i Gjermanisë.

"Ne kemi rënë dakord lidhur me një paketë sanksionesh shtesë për të shtuar presionin dhe për t’i bërë më të rëndësishme negociatat në fusha të tilla si tregtia, bankat, transporti dhe energjia. Gjithashtu ne po zbatojmë masa për t’i dhënë fund anashkalimit të sanksioneve”.

Ekonomia e Iranit, si ajo e ligjshme edhe ajo klandestine, po vuajnë. Rënia e madhe e vlerës së monedhës ka shkaktuar protesta në Teheran. Dhe dje, Irani kritikoi ashpër sanksionet e BE-së, duke i cilësuar si “çnjerzore” dhe të paefektshme. Jamie Ingram është ekspert i Lindjes së Mesme në firmën IHS Global Insight.

“Sanksionet po godasin financiarisht iranianët. Gjithashtu, me kufizimet ndaj importeve, po shtohen mungesat ushqimore. Kjo u vu re veçanërisht gjatë periudhës së Ramazanit, ku pati mungesa të mishit të pulës, për shembull, gjë që prek iranianët në përgjithësi. Ne do të shikojmë përkeqësimin e kësaj situate”.

Analistët thonë se sanksionet kundër industrisë së naftës të Iranit kanë pasur një ndikim tepër negativ, ndërkohë që vendi po përpiqet të gjejë tregje të reja.
Ministri iranian i Energjisë vizitoi Nju Delhin javën e kaluar dhe shfaqi shpresë se bizneset indiane do të investojnë në Iran.

“Kjo do të jetë me përfitime për Indinë, duke i mundësuar sektorit privat dhe kompanive private që të sigurojnë çmime të mira nga vendi ynë”.

Kritikët thonë se sanksionet kundër Iranit kanë dështuar të ndalojnë programin bërthamor të këtij vendi, ndërkohë që kanë shkaktuar vuajtje për popullin iranian.

“Një pjesë e mirë e marrëdhënieve sociale mes mullave në pushtet, qeverisë dhe popullit iranian është e bazuar në garantimin e shërbimeve. Kjo do ta dëmtojë gjithnjë e më shumë qeverinë dhe presioni më në fund mund të ndjehet”.

Ndërsa ka pak shenja të ndonjë arritjeje diplomatike, analistët thonë se raundi më i fundit i sanksioneve të Bashkimit Evropian do të dëmtojë edhe më rëndë ekonominë e Iranit.

XS
SM
MD
LG