Lidhje

Mogherini: Zhvillime inkurajuese në Mitrovicë


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini është shprehur e inkurajuar të hënën me zhvillimet në Mitrovicë ku të dielën u rrënua një mur i ngritur në dhjetor nga autoritetet lokale serbe në atë pjesë të Kosovës.

Zonja Mogherini para fillimit të mbledhjes së ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel tha se "do t'i njoftoj ministrat për punën e bërë gjatë disa javëve të fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ku janë parë zhvillime inkurajuese në Mitrovicë”.

Rrënimi i murit pasoi një marrëveshje ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe autoriteteve lokale ne Mitrovicë, të ndërmjetësuar nga ambasada amerikane në Prishtinë dhe zyra e Bashkimit Evropian.

Autoritetet lokale serbe në Mitrovicë thanë se të martën pritet të fillojë ndërtimi i një strukture të re prej betoni në zonën e këmbësorëve dhe se kjo është pjesë e një marrëveshjeje të arritur në bisedimet Kosovë Serbi për revitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se me marrëveshjen për murin është ruajtur paqja, ndërsa akuzoi sic tha shqiptarët që po duan ta përjashtojnë Beogradin nga mbrojtja e serbëve.

Autoritetet në Kosovë thonë se me rrënimin e murit është zgjidhur një problem i brendshëm me përkrahje ndërkombëtare.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha pas mbledhjes së kryesisë së parlamentit të hënën se nuk do të ketë më mure të ngritura dhe se sipas tij projekti i ri do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

“Nuk kemi pasur asnjë moment qëllim provokues ndaj asnjë komuniteti, respekt për qytetarë të Kosovës aq më tepër për komunitetet jo shumicë shqiptare. I ftoj bashkëqytetarët e Mitrovicës që të jenë të sigurt në atë çfarë po bëjmë dhe është në interesin e Mitrovicës, e një Mitrovice të bashkuar, e cila do të ketë komunikim dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e vet, nuk do të ketë jug dhe veri, por do të jetë projekt i bashkëpunimit dhe tolerancës ndër etnike”, tha zoti Veseli.

Por, partitë opozitare i kritikuan institucionet vendase për mënyrën e trajtimit të murit të rrënuar.

Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje shprehu shqetësimet për siç tha veprimet e fundit në veri të vendit.

“E gjithë kjo mbulesë që po i bëhet problemeve serioze ka për qëllim të fshehë dy çështje tepër të rëndësishme dhe tejkalojnë çështjen e një muri që u ngrit dhe që po rrënohet dhe po ri ngrihet. E këto janë marrëveshja e vitit 2015 e cila cakton prapa këtij muri një shesh i cili bllokon përfundimisht magjistralen e vetme që lidh veriun dhe jugun e vendit. E dyta është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili është synimi përfundimtar në kuadër të këtyre negociatave dhe po mbulohet me çështje sekondare, përmes mureve”, tha zoti Çaushi.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, kritikoi institucionet për marrëveshjen e arritur me autoritetet komunale në veri.

“Është një gabim shumë i madh në marrëveshje sepse nuk ka qenë dashur të bëhet dialog për murin sepse është rezoluta e parlamentit dhe qeveria ka qenë dashur të zbatojë në përpikmëri rezolutën e parlamentit”, tha zoti Lekaj.

Çështja e murit kishte nxitur debate dhe pakënaqësi të shumta për më shumë se dy muaj. Autoriteteve dhe partitë politike në Kosovë ngritjen e këtij muri e patën cilësuar si një veprim që bie ndesh me marrëveshjen për liri të lëvizjes në qytetin e ndarë në dy pjesë, në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare, ndërsa për rrënimin e tij ishte miratuar edhe një rezolutë nga Parlamenti i Kosovës.

Autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës vazhdimisht thanë se muri është pjesë e një projekti për ndërtimin e një shëtitoreje dhe se nuk synonte ndarje të qytetit.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian bëri të mundur që në gusht të vitit të kaluar të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian ka investuar 1.2 milion euro për revitalizimin e saj.

Ura qendrore mbi lumen Ibër ishte mbajtur mbyllur nga serbët lokal që nga muaji korrik i vitit 2011 në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë në veri.

Ngritja e murit, që u pasua nga arrestimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti serb si dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë të një reni nga Serbia me mbishkrime kundër pavarësisë së Kosovës, çuan në tensione të larta ndërmjet të dyja palëve.

Bashkimi Evropian organizoi dy takime në nivelin më të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por deri të dielën nuk shiheshin shenja të uljes së tensioneve me gjithë zotimet e të dyja palëve. Zhvillimet rreth murit mund të shënojnë një hap të ri në marrëdhëniet edhe ashtu të vështira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG