Lidhje

Përfundon takimi i Këshillit të Stabilizim Asocimit Kosovë - BE


Takimi i dytë i Këshillit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përfundoi të premten në Bruksel, me anulimin e një konference të përbashkët për gazetarë dhe me një komunikatë në të cilën bëhet thirrje për zbatimin pa vonesë të marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë të zyrës së shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini thuhet se "këshilli rikujtoi se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është në thelb të marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Ai siguron kuadrin kontraktual brenda të cilit BE-ja dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre dhe do të vlerësojnë zhvillimet në marrëdhëniet e tyre".

Kosova, thuhet në komunikatë, nënvizoi përkushtimin e saj të vendosur për të përmbushur reformat e parapara me marrëveshje. Në takim u diskutua për përparësitë e reformave në fushat që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe punësimin.

"Takimi nënvizoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian midis Prishtinës dhe Beogradit dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura, pa vonesë", thuhet në njoftim.

Ndërkaq në një komunikatë të zyrës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ai citohet t'i ketë thënë zonjës Mogheirni se "Kosova është faktor stabiliteti dhe po dëshmon përkushtim në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët përfshirë edhe Serbinë, me të cilën po zhvillon dialog për normalizim marrëdhëniesh". Kryeministri Haradinaj theksoi se "dialogu duhet të riformatohet të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve".

Ai po ashtu ka theksuar se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe nënvizoi rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave me BE-në. Ai tha se Kosova ka mbetur vendi i fundit dhe i vetmi në Evropë pa lirinë e lëvizjes dhe përshpejtimi i këtij procesi do të ndihmonte qytetarët dhe vendin. Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova ka përmbushur detyrimet e saj në këtë proces dhe tha se kriteri i mbetur i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka nisur të adresohet me fillimin e punës së Komisionit të ri shtetëror.

Zyratërt e BE-së thanë se një konferencë e përbashkët me gazetarë në fund të takimit, u anulua për shkak të agjendës, por burime brenda BE-së thanë se konferenca u anulua për shkak të disa mospajtimeve që u shfaqën gjatë takimit, por pa dhënë hollësi se për çfarë behët fjalë.

Kosova nënshkroi në vitin 2015 marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, si kundërshpërblim për angazhimin e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, por hapi bisedimet për anëtarësim për shkak angazhimit në bisedime.

Bashkimi Evropian kërkon nga të dyja palët një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh para së të përmbushin synimin për t'u bërë pjesë e bllokut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG