Lidhje

BE-ja emëron zyrtarisht të dërguarin e posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi


Këshilli Evropian emëroi të premten edhe zyrtarisht diplomatin sllovak Miroslav Lajçak si të dërguarin e saj të Posaçëm për bisedimet ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në një njoftim të Këshillit Evropian thuhet se “detyrat e përfaqësuesit të ri të Posaçëm të Bashkimit Evropian, do të jenë normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të tejkalojnë trashëgiminë e së kaluarës...”.

Diplomati Lajçak do të fillojnë menjëherë nga puna me një mandat fillestar prej 12 muajsh.

Debatet që i paraprinë emërimit të zotit Lajçak, kishin nxitur mëdyshje te një pjesë e vendeve të BE-së dhe në Kosovë, meqë vendi i tij është një nga pesë vendet evropiane që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Edhe shefi i tij, Josep Borrell, shef i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, vjen nga Spanja, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall më shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj, Rusia.

Në Kosovë presidenti Hashim Thaçi, ishte shprehur kritik ndaj paralajmërimeve për emërimin e zotit Lajçak.

“Misioni i tij është i prirë të dështojë, sepse ai ka punuar që Sllovakia të mos e njohë Kosovën si dhe ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, shkroi ditë më parë presidenti Thaçi.

Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara emëruan zotin Mathew Palmer si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor e më pas ambasadorin Richard Grenell, të dërguar të posaçëm të presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Në fillim të këtij viti zoti Grenell, siguroi marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore, hekurudhore dhe për autostrada, në një periudhë kur kishte filluar viti i dytë i pezullimit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për shkak të tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe.

Duke u ndjerë i lënë anash, Bashkimi Evropian u vu në përpjekje që të sigurohet se do të luajë rolin e tij në proces dhe së këndejmi u hodh ideja për një përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor sipas modelit amerikan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG