Lidhje

Marrëveshje për mbrojtjen mes ministrave të BE-së


Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes nga 23 vende anëtare të Bashkimit Evropian nënshkruan sot në Bruksel një marrëveshje për mbrojtjen, e cila synon rritjen e bashkëpunimit brenda bllokut pas Brexit-it dhe për t’iu kundërvënë presionit të Rusisë.

Për t'u bërë pjesë e ligjeve të Bashkimit Evropian, udhëheqësit e bllokut duhet ta mbështesin atë në dhjetor.

Marrëveshja parashikon krijimin e një Bashkëpunim të Përhershëm Strukturor, ose PESCO, i cili synon t'i japë Bashkimit Evropian një rol më koherent në trajtimin e krizave ndërkombëtare, dhe pason shpalljen e një Fondi të Mbrojtjes Europiane prej 6.4 miliardë dollarësh që u njoftua në qershor.

Në bazë të marrëveshjes, vendet do të ofrojnë "mbështetje substanciale" në fushat si personeli, pajisjet, trajnimi dhe infrastruktura për misionet ushtarake të Bashkimit Evropian.

E bllokuar për një kohë të gjatë nga Britania, e cila kishte frikë nga krijimi i një ushtrie të Bashkimit Evropian, përpjekja për integrimin e aftësive të mbrojtjes u ringjall nga Franca pas zgjedhjes së zotit Emmanuel Macron, një pro-evropian, në postin e presidentit dhe Gjermania pasi britanikët votuan në qershor të 2016 për t'u larguar nga Bashkimi Evropian.

Edhe paralajmërimet nga Presidenti amerikan Donald Trump se aleatët evropianë duhet të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre duket se e kanë shtyrë përpara projektin.

Mbështetësit e paktit thonë se marrëveshja nuk do të konkurrojë me NATO-n, por do ta plotësojë aleancën, e cila do të vazhdojë të ketë rolin kryesor në mbrojtjen e Evropës.

Një sistem për identifikimin e dobësive në forcat e armatosura të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, në koordinim me NATO-n, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, pritet të fillojë fazën pilot të projektit, ndërsa vazhdojnë negociatat për një fond miliarda dollarësh të Bashkimit Evropain për të mbështetur paktin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG