Lidhje

Lajçak pas Kosovës, në Serbi: “Status quoja’ është e paqëndrueshme

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, tha të mërkurën në Beograd se bisedimet janë me rëndësi thelbësore për të dyja palët, ndërsa status quoja është e paqëndrueshme.

Zoti Lajçak i cili shkoi në Beograd pas vizitës në Prishtinë, tha se “vendet anëtare të Bashkimit Evropian presin që bisedimet të vazhdojnë në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim” dhe se BE-ja kërkon nga të dyja palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dhjetë vitet e fundit.

"Nuk kemi interes që të ruajmë ‘status quon’, por duam ta përmbyllim procesin aq shpejtë sa janë të gatshme të dyja palët”, tha ai.

Zoti Lajçak theksoi se vizita e tij në rajon zhvillohet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Por për shkaqe teknike nuk u bë e mundur që i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, të bëhej pjesë e vizitës”, tha zoti Lajçak pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ritheksoi qëndrimin e Beogradit se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur 13 vjet më parë më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Presidenti serb tha se duhet një zgjidhje kompromisi “që do të thotë askujt gjithçka, gjithkujt mjaftueshëm", ndërsa u shpreh i bindur se Serbia do të jetë nën trysni për njohjen e Kosovës, duke përmendur edhe letrën e presidentit amerikan Joe Biden i cili ditë më parë duke e uruar atë për ditën e shtetësisë, tha se Serbia duhet të punojë për “arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën që do të përqendrohej me njohjen e ndërsjellë”.

Zoti Lajçak, tha të martën në Prishtinë se pret që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mund të arrihet brenda mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, që dolën fitues të zgjedhjeve parlamentarë të 14 shkurtit në Kosovë.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeministër i Kosovës, i tha zotit Lajçak se nuk është kundër bisedimeve me Serbinë, por kërkon që ato të jenë parimore dhe të përgatitura mirë.

This item is part of

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG