Lidhje

BE-ja po shqyrton ndihmat për Ballkanin përballë koronavirusit


Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha të martën se blloku është i gatshëm të mbështes Ballkanin Perëndimor në përballjen me pandeminë e coronavirusit.

Në një video konferencë me kryeministrat e rajonit të organizuar nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, komisionari Varhelyi, tha se “po shqyrtojmë mundësitë se si të ndihmojmë rajonin në zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të pandemisë, duke përfshirë shqyrtimin e mundësive për të riorientuar financimet përmes IPA-s (Instrumentet e para anëtarësimit) dhe për të treguar fleksibilitet në rregullat e ndihmës shtetërore".

Fondet e IPA-s përdoren për reformat qeverisëse, sundim të ligjit, mjedis, energji, arsim e punim.

Gjatë video konferëncës komisionari Varhelyi, vuri theksin te bashkëpunimi rajonal, duke nënvizuar se tani është me rëndësi të hapen negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Një vendim për këto dy vende pritet më 24 mars, me siguri në një video konferencë të Këshillit të Ministrave që pastaj duhet të mbështetet nga shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimin Evropian në takimin e paralajmëruar të mbahet më 27 dhe 28 mars.

Kurti: Liberalizimi i vizave është stërzgjatur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha gjatë video koferencës së sotme se “në këtë krizë pandemie ku qytetet e shtetet gjithandej globit po i mbyllin kufijtë e po i izolojnë njerëzit e tyre, ne e kuptojmë se sa e rëndësishme është liria e lëvizjes. Por kur pandemia të përfundojë, qytetarët gjithandej Evropës do të jenë të gatshëm të lëvizin lirshëm sërish nëpër Evropë, përderisa ne në Kosovë do të mbetemi të izoluar. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është stërzgjatur”, ka theksuar ai.

Nga gjashte vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur negociatat kohë më parë dhe llogariten si favorit. Ndërsa e fundit në proceset integruese mbetet Kosova për shkak të mosnjohjes nga pesë vende të BE-së. Qytetarët e Kosovës janë po ashtu të vetmit që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG