Lidhje

Evropa e mbërthyer nga pasiguria


Kreu i Bankës Qendrore Evropiane paralajmëroi se eurozona përballet me "rreziqe serioze të rënies ekonomike".

Evropa është mbërthyer nga pasiguria financiare dhe politike, ndërkohë që shenjat e reja flasin për rënie ekonomike dhe zgjedhjet e reja në Greqi mund të përcaktojnë fatin e saj në eurozonë.

Kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, paralajmëroi sot se eurozona përballet me "rreziqe serioze të rënies ekonomike," kryesisht për shkak të "rritjes së pasigurisë." Ai tha se banka qendrore është e gatshme të ofrojë më shumë para për bankat e shëndetshme për të shmangur një tkurrje të kreditimit nëse kushtet ekonomike përkeqësohen.

Një raport i ri i Bashkimit Evropian thotë se numri i njerëzve që kanë punë në eurozonë ra në masën 277,000 në tre muajt e parë të vitit, tremujori i tretë radhazi që niveli i punësimit bie.

Por pasiguria është më e lartë në Greqi, ku të dielën do të bëhen zgjedhje parlamentare, për herë të dytë në gjashtë javë. Votimi i së dielës është kthyer në një referendum nëse Greqia do të qëndrojë në eurozonë apo do të bëhet vendi i parë që braktis euron.
XS
SM
MD
LG