Lidhje

Të rinjtë gjermanë dhe kriza financiare evropiane


Gjermania është ekonomia më e fuqishme evropiane në këto momente. Por ky fakt nuk nënkupton garanci për punësim për të rinjtë gjermanë që sapo kanë përfunduar studimet universitare. Siç tregon përvoja e një inxhinieri të ri gjerman, kriza i ka bërë kompanitë më të rezervuara në punësim dhe ka shtuar kërkesat ndaj kandidatëve që aplikojnë.

Pas 7 vjet studimesh universitare e pasuniversitare, Lutz Hentschel shpreson se është përgatitur për tregun e punës. Ai del nga bankat e shkollës me një diplomë në inxhinieri elektrike, në tregun më vital të Evropës. Shanset e punësimit për të në Gjermani, së paku statistikisht, janë shumë më të mira se kudo tjetër në Evropë.

“Kur shoh se në vende të tjera papunësia mes të rinjve është në rreth 50 për qind, e konsideroj veten në pozitë mjaft të mirë. Do të kërkoj punë dhe shpresoj që të gjej diçka”.

Por që kur mbaroi studimet në janar të këtij viti, Lutz ka dërguar afro 40 kërkesa për punë, ka zhvilluar mbi 15 intervista punësimi, por ende nuk ka marrë asnjë ofertë pune. Ai konkuron për vende pune, në një kohë kur kriza financiare në Evropë i ka bërë kompanitë më të rezervuara në punësime. Në të gjithë kontinentin, sidomos në vende si Spanja, që janë goditur rëndë nga kriza e euros, të rinjtë ballafaqohen me një të ardhme të pasigurtë.

Lutzi po mëson nga përvoja e aplikimeve për punë, se kriza ekonomike i ka bërë kompanitë të ngrenë pretendime të shumta për kandidatët që duan punë:

“Fillimisht u zhgënjeva, pasi mendova se unë e kisha fajin që nuk po më ofronin punë. Por tani e kam kuptuar se kompanitë kanë kërkesa shumë të larta. Ata presin që kandidati të ketë njohuri dhe përvojë, që është e pamundur t’i ketë fituar kur sapo ka dalë nga bankat e shkollës”.

Edhe Lutzi vetë ka pretendimet e tij. Ai do të preferonte një punë në industrinë e energjisë së ripërtëritshme, pasi gjatë studimeve universitare është përqëndruar në këtë fushë. Por ai është i vetëdijshëm se nuk do të kundërshtojë edhe oferta në sektorë të tjerë të inxhinierisë elektrike.

Këtë radhë ai është thirrur për një intervistë me kompaninë gjermano-daneze Nordex, e cila ndërton turbina ere për energji të ripërtëritshme. Dy orë pasi futet në zyrat e kompanisë, ai del mjaft entuziast:

"Ishte një intervistë shumë e mirë. Ishte hera e parë që intervistohesha nga profesionistë – inxhinierë dhe jo nga punonjës të zyrës së personelit. Diskutova me dy inxhinierë mbi hollësi teknike të punës, projekte të ndryshme. Ishte intervista më e mirë që kam zhvilluar deri tani”.

Rrugës nga Hamburgu për në Berlin, Lutzi ndjehet mjaft i lehtësuar. Ai i ka vënë vetes objektiv të gjejë punë deri në shtator. Ai është një ndër kandidatët e suksesshëm, pasi një javë më pas mori një ofertë pune nga kompania Otis. Megjithëse nuk ka nënshkruar ende kontratën e punës, Lutzi shpreson se në shtator do të fillojë punë në zyrat e kompanisë në Berlin.

Për momentin 27-vjeçari Lutz Henschel do të shijojë pushimet verore me shpresa për një të ardhme shumë më të mirë se bashkëmoshatarët e tij evropianë.
XS
SM
MD
LG