Lidhje

Parlamenti Evropian debaton liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës


Parlamenti Evropian debaton liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës
Parlamenti Evropian debaton liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës

Për afër një orë e gjysëm europarlamentarët diskutuan mbrëmë rreth liberalizimit të vizave për Shqipërinë e Bosnjën. Raportuesja e parlamentit për këtë çështje, Tanja Fajon, bëri thirrje që Parlamenti Evropian të votojë në favor të heqjes së vizave në mënyrë që qytetarët boshnjakë dhe ata shqiptarë, siç u shpreh ajo, të mund të udhëtojnë lirshëm që përpara fundit të këtij viti, për Krishtlindje.

Në shumicë, eurodeputetët i dhanë mbështetje procesit, ndërsa pati edhe disa zëra kundërshtarë. Dy deputetë, një hollandez dhe një tjetër belg, kanë ngritur shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që sipas tyre ekziston në të dyja vendet.

Ndërkohë që një nga përfaqësuesit e së majtës ka risjellë në vëmendje krizën ende të pagjidhur politike. Megjithatë, në shumicë të ndjeshme, mbështetja e dhënë në favor të liberalizimit të vizave, gjatë debatit të mbrëmshëm është një sinjal thuajse i sigurtë për votimin që pritet të zhvillohet sot në parlamentin evropian.

Gjatë seancës së debatit ishte e pranishme edhe komisionerja për drejtësinë dhe çështjet e brendshme, Cecilia Malstrom. Ndërsa ka ripërsëritur faktin se të dy vendet ballkanike kanë plotësuar kërkesat e paraqitura në udhërrëfyes ajo ka kërkuar që autoritetet shqiptare dhe boshnjake të marrin masa për të parandaluar flukse të mundshme azilkërkuesish.

Zonja Malstrom është shprehur se qyetarëve u duhet shpjeguar procedura dhe fakti që liberalizimi nënkputon një qëndrim afatshkurtër. Autoritetet, ka shtuar ajo, duhet të sigurojnë që azilkërkuesit të mos vërshojnë drejt vendeve të Bashkimit evropian.

Kërkesa e komisioneres duket se është e lidhur me situatën e krijuar së fundi për shkak të skepticizmit të shfaqur nga ndonjëri prej vendeve anëtare të Bashkimit evropian. Franca, më së shumti për shkak të konfliktit me Komisionin evropian për debimin e Romëve, ka shfaqur hapur dyshimet e saj, ndonëse nuk është shprehur kundër, në parim, procesit të liberalizimit të vizave.

Pak ditë më parë duke folur përpara komisionit të Jashtëm të Asamblesë kombëtare, sekretari i shtetit për çështjet evropian, Pierri Lellouche, është shprehur se Parisi kërkon që liberalizimi i vizave duhet të shoqërohet me garanci serioze që duhet të japin të dy vendet. Sipas tij, heqja e vizave nuk mund të jetë një dhuratë diplomatike pasi është një çështje delikate që lidhet me sigurinë.

Dje, duke ju referuar qëndrimit të Francës kryeministri Sali Berisha tha se “ajo kërkon me shumë të drejtë garanci dhe garancia që kërkon qeveria franceze dhe qeveritë partnere është që qeveria dhe autoritetet shqiptare udhërrëfyesin e kanë një program të vazhdueshëm pune”. Ai shtoi se “për të realizuar heqjen e vizave, qeveria dhe institucionet shqiptare janë të gatshme të marrin çdo vendim, të bëjnë çdo investim, të vendosin dhe konsolidojnë çdo praktikë të domosdoshme”.

Kryeministri Berisha kërkoi intensifikimin e fushatës shpjeguese dhe sensibilizuese, veçanërisht në radhët e të rinjve. Kryeministri kërkoi që në shkolla dhe universitete të shpërndahen fletëpalosje me të gjitha informacionet e nevojshme dhe detyrimet që rrjedhin nga liberalizmi i vizave. E njëjta gjë tha ai të bëhet edhe në aktivitetet sportive apo kulturore ku ka prani të madhe të rinjsh.

Me votën e sotme në parlamentin evropian, tejkalohet edhe një hallkë tjetër e procesit. Hapi i fundit mbetet në nëntor, ku vendimi do të jetë në dorën e vendeve anëtare. Çështja e heqjes së vizave është përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes së këshillit të Ministrave të BE, më 8-9 nëntor, ku nevojitet vota në favor e dy të tretave të vendeve anëtare.

XS
SM
MD
LG