Lidhje

Hollande: Shumë pranë fundi i krizës së borxhit


Ai tha se ka ende shqetësime të thella financiare për Greqinë dhe Spanjën.

Presidenti francez Francois Hollande tha se fundi i krisës së borxhit të eurozonës është shumë pranë, por vazhdojnë shqetësime të thella financiare për Greqinë dhe Spanjën përpara takimit të nivelit të lartë të BE-së.

Zoti Hollande u tha disa gazetave evropiane sot se udhëheqësit e kontinentit në takimin e nivelit të lartë në qershor hodhën bazat për një bashkim banker të 17 vendeve të eurozonës dhe ndalën shqetësimet për shpërbërjen e eurozonës.

Por ai shtoi se ka ende punë për t'u bërë dhe se drejtuesit e kontinentit duhet të miratojnë shpenzime të reja dhe kontrolle bankare deri në fund të vitit. Drejtuesit e BE-së takohen të enjten dhe të premten në të parin e tre takimeve të nivelit të lartë që kanë planifikuar gjatë dy muajve të ardhshëm për të shqyrtuar hollësitë e planit.

Dy çështje madhore mbizotërojnë takimin e Brukselit.

Greqia dhe huadhënësit ndërkombëtar nuk kanë rënë ende dakort për kushtet e planit të ri të masave shtrënguese që kreditorët kërkojnë para se qeverisë greke t’i lëvrohet kësti tjetër i ndihmës. Greqia thotë se ka nevojë për paratë në fillim të muajit të ardhshëm.

Në Madrid, udhëheqësit e qeverisë spanjolle po shqyrtojnë mundësinë e kërkesës së një pakete shpëtimi, ose të një linje krediti për shpenzime emergjente të nevojshme. Zyrtarët spanjoll thanë se do të marrin një vendim gjatë javëve të ardhshme.
XS
SM
MD
LG