Lidhje

Reagime pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane


Tregjet evropiane u ngritën sot, duke u mëkëmbur disi nga humbjet dje pasi Banka Qëndrore Evropiane dështoi të jepte premtime konkrete e të guximshme për veprim për të dalë nga kriza e borxhit në rajon. Banka Qendrore Evropiane ka lënë të kuptohet se mund të blejë në treg të hapur bonot e thesarit të ekonomive në recesion si Spanja dhe Italia, por vetëm pasi këto vende të kenë kërkuar ndihmë financiare.

Një javë pas premtimeve për të bërë çdo gjë të mundur për të ruajtur euron, presidenti i Bankës Evropiane Mario Draghi nuk ofroi asnjë masë të re të enjten përveç një plani që duhet të kalojë për miratim në bordin e bankës.

Megjithatë analisti Robert Halver, me bankën Baader thotë se vendimi i bankës qëndrore evropiane nuk ishte zhgënjyes.

“Sigurisht që banka nuk mund të veproj si punonjës social. Ajo duhet të presë që politikanët të bëjnë punën e tyre, veçanërisht në vendet problematike. Banka Qendrore do të veprojë kur të jetë e nevojshme dhe kjo është mbrojtja bazë. Në skenarin më të keq banka do të ndërhyjë për të rregulluar situatën”, thotë analisti.

Kostot e huamarrjes së Spanjës u rritën sot ndërsa investitorët treguan zhgënjimin e tyre me paralajmërimin e bankës qëndore evropiane se do të ndihmojë ato vende që aplikojnë për ndihmë shpëtimi.

Tomas Gallo, drejtor në kompaninë ATL të Investimeve në Madrid thotë se Spanja ka nevojë për një paketë ndihme por edhe pse i duhet ndihma qeveria nuk është gati ta kërkojë atë për momentin.

Ai thotë se Spanja po mbështetet tek fjalët e Draghit se banka qëndrore do të orfojë asistencë për të ulur kostot e huamarrjes.

“Në se kjo nuk ndodh, kam frikë se ky muaj do të jetë i paqëndrueshëm ashtu si tremujorët e fundit. Na duhet të ambjentohemi me këtë situatë”.

Greqia, Irlanda, Portugalia dhe Qiproja kanë kërkuar tashmë ndihmë shpëtimi por një paketë shpëtimi për Spanjën do ta vinte seriozisht në provë bankën e Bashkimit Evropian pasi është ekonomia e katërt më e madhe ndër 17 vendet që përdorin euron.
Spanja është në recesionin e dytë në tre vjet me një nivel papunësie prej gati 25 përqind.

XS
SM
MD
LG