Lidhje

Evropa përsëri në darën e koronavirusit


A man holds a sign leading the way to a Covid-19 test center the airport in Frankfurt, Germany, Oct. 22, 2020.

Gjermania do të vendosë masa bllokimi emergjent për një muaj, që përfshijnë mbylljen e restoranteve, palestrave dhe kinemave për të frenuar rritjen e rasteve të koronavirusit që rrezikojnë të përmbytin spitalet, tha Kancelarja Angela Merkel të mërkurën.

"Ne duhet të marrim masa tani," tha ajo, duke shtuar se rritja e madhe e numrit të infeksioneve ka krijuar mjaftueshëm mbështetje politike dhe publike për masa të reja të ashpra që do të pakësonin kontaktet shoqërore dhe do ta vinin virusin nën kontroll.

Duke filluar nga 2 nëntori, grumbullimet private do të kufizohen në 10 njerëz nga maksimumi dy familje. Restorantet, baret, teatrot, kinematë, pishinat dhe palestrat do të mbyllen dhe koncertet anulohen.

Ngjarjet sportive profesionale do të lejohen të mbahen vetëm pa spektatorë. Njerëzve do t'u kërkohet të mos udhëtojnë për arsye private, jo thelbësore, dhe qëndrimi gjatë natës në hotele do të lejohet vetëm për udhëtimet e domosdoshme të biznesit.

Shkollat dhe qendrat ditore do të mbeten të hapura, ashtu si edhe dyqanet, për sa kohë që zbatojnë në distancimin shoqëror dhe rregullat e higjienës. Rregullat mbarëkombëtare zëvendësojnë një larmi masash konfuze rajonale.

Gjermania, me ekonominë më të madhe të Evropës, u vlerësua gjerësisht për mbajtjen e niveleve të infeksionit dhe vdekjeve nën ato të shumë vendeve fqinje në fazën e parë të krizës, por tani ajo është në mes të një vale të dytë, si dhe shumica e pjesës tjetër të Evropës.

Në 24 orët e fundit, rastet me koronavirus u rritën me 14,964 duke arritur në gjithsej 464,239. Vdekjet u rritën me 85 duke arritur shifrën 10,183.

BLLOKIME NË FRANCË

Edhe Franca, duke filluar nga e marta do të hyjë në një periudhë mbylljeje kombëtare, që ndalon udhëtimet mes rajoneve të ndryshme të vendit. Njoftimi u bë nga Presidenti Emmanuel Macron, i cili tha se në bazë të masave të reja njerëzit do të lejohen të dalin nga shtëpia vetëm për punë thelbësore ose arsye shëndetësore.

Bizneset jo thelbësore si baret dhe restorantet do të qëndrojnë mbyllur. Në Francë, numri i vdekjeve është rritur mesatarisht në mbi 500 në ditë. Zyrtarët thanë se duhet bërë gjithçka “që koronavirusi të mos e verë poshtë vendin.”

SHIFRA REKORD INFEKTIMESH NË ITALI

Italia ka regjistruar 24,991 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit, tha të mërkurën ministria ne shëndetësisë, një shifër rekord kjo edhe më e lartë se sa 21,994 që u regjistruan të martën.

Ministria gjithashtu raportoi 205 vdekje të lidhura me COVID-in, krahasuar me 221 një ditë më parë.

Numri i testeve me shtupë të kryera arriti një rekord të ri prej 198,952 nga 174,398 një ditë më parë.

Duke u përpjekur të ngadalësojë përhapjen e virusit, qeveria vendosi këtë javë kufizime të reja në vend, duke urdhëruar mbylljen më herët të bareve dhe restoranteve. Do të mbyllen gjithashtu palestrat, kinematë dhe teatrot, ndër masat e tjera.

Një total prej 37,905 njerëzish kanë vdekur në Itali për shkak të koronavirusit, numri i dytë më i lartë në Evropë pas Britanisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG