Lidhje

Faith: Një takim Thaçi-Tadiç do të ishte një hap i madh përpara


Faith: Një takim Thaçi-Tadiç do të ishte një hap i madh përpara
Faith: Një takim Thaçi-Tadiç do të ishte një hap i madh përpara

Shefi i zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Faith, tha se përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur do të ndodhë deri në fund të vitit 2012 dhe zgjidhja përfundimtare e çështjes së veriut të Kosovë do të mbetet në duart e mekanizmave të tjerë vendas e ndërkombëtarë. Në një intervistë për shërbimin shqip dhe atë serb të Zërit të Amerikës, ai tha se gjatë këtij viti duhet të miratohen një numër ligjesh që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare që janë me rëndësi për kishën ortodokse serbe. Ai tha se janë edhe disa ligje të tjera dhe zyra synon krijimin e një demokracie shumetnike në Kosovë ku të gjitha komunitetet kanë të drejta të barabarta për përdorimin e gjuhëve. Ai tha se tash synohet përparimi në procesin e ripajtimit, duke adresuar të kaluarën dhe tërë procesin e përcaktimit të përgjegjësisë individuale për atë që ka ndodhur gjatë kohës së dhunës në vend të përgjegjësisë kolektive.

“Veriu është natyrisht një çështje që është diskutuar në Vjenë nga Grupi Drejtues Ndërkombëtarë i cili mendon se mbikëqyrja e pavarësisë duhet të përmbyllet deri në fund të vitit dhe zgjidhja politike për veriun mund të gjendet nga mekanizmat tjerë, sikurse edhe nga qeveria e Kosovës dhe e Serbisë. Me fjalë të tjera Zyra Civile Ndërkombëtare nuk pritet të ndihmojë në zgjidhjen përfundimtare politike që do të kryhet nga të tjerët”.

Zoti Faith tha se i takon qeverisë së Kosovës që t’u shtrijë dorën qytetarëve në veri në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme, duke u nisur nga fakti se veriu do të mbetet pjesë e Kosovës. Ai tha se aktualisht janë në lojë disa procese, përfshirë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, plani katër pikësh i presidentit të Serbisë Boris Tadic etj. Por, tha ai, ka një pajtim në shkallë të gjerë, se qeverisja lokale në veri do të jetë një nga elementet kryesore për zgjidhjen e ardhshme bashkë me arritjet tjera që do t’i ofrojnë komunitetit serb në veri garancitë për vazhdimin e mënyrës së tyre tradicionale të jetës dhe që do të mbrojnë trashëgiminë kulturore e fetare. Beogradi edhe Prishtina kanë dëshira të qarta që të përparojnë në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Është e qartë po ashtu se Bashkimi Evropian, tha ai, ka hartuar kërkesa që kanë të bëjnë me shkallën e bashkëpunimit rajonal përfshirë Beogradin dhe Prishtinën, që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë afatgjate në Kosovë dhe që përfundimisht nuk duhet të ketë konflikt të ngrirë në veri.

“Mendoj se duhet lënë anash titujt si statusi i posaçëm, Ahtisaari plus, autonomi, sepse të gjitha këto fjalë kanë shumë elemente që nxisin keqkuptime, zvarritje dhe ndërlikime. Të fillojmë duke kërkuar nga të gjithë në këtë proces fleksibilitet maksimal. Nëse do të kishim kontakte të drejtpërdrejta ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe komunitetit serb në veri, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara sepse në atë mënyrë, ne do të dëgjonim nga përfaqësuesit në veri se çfarë saktësisht duan ata. Nëse do të kishim kontakte të drejtpërdrejta, sy më sy, ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit Boris Tadiç, do të ishte po ashtu një hap i madh përpara. Të gjithë po flasin për kushte rreth këtij takimi, por mbase në një të ardhme do të ketë një pajtim për takim pa kushte, siç ka ndodhur më parë në histori. Nuk jam pa shpresë. Në duhet të mbetemi të angazhuar dhe të punojmë shumë për një rezultat më të mirë, por të gjithë pajtohen se gjërat nuk mund të mbeten ashtu siç janë aktualisht”.

Zoti Faith është i bindur se referendumi i paralajmëruar nga përfaqësuesit serbë në veri për javën e ardhshme ku qytetarët do të deklaroheshin nëse pranojnë apo jo institucionet e Prishtinës, nuk do të ketë ndonjë ndikim.

“Nuk jam i sigurt nëse ka shumë rëndësi. Mund ta marrë me mend se cili do të jetë rezultati, Por më duhet të jem i qartë me ju. Rezultati nuk do të njihet nga autoritetet këtu, as nga organizata që unë e drejtoj, as nga Bashkimi Evropian e as nga Kombet e Bashkuara”.

Ai tha se është shumë e qartë se çfarë dëshiron komuniteti ndërkombëtarë dhe cilat janë kërkesat minimale për ndikimin e Beogradit në veriun e Kosovës.

“Beogradi duhet te tërheq praninë e tij policore, të sigurisë dhe të zbulimit nga veriu, sepse prania dhe veprimi i tyre në veri janë shkelje e qartë e Rezolutës 1244. Çështja e dytë është se në fushat e shëndetësisë dhe arsimit, strukturat nëpërmjet të cilave Beogradi mund të ndihmojë popullatën serbe në veri mund të vazhdojnë, por në mënyrë transparente dhe kjo është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian, sepse duhet të ketë llogaridhënie në lëvizjen e burimeve financiare. Në një pikë, do të donim të shihnim udhëheqje të re në veri. Kjo nuk do të thotë se kryetarët aktual të komunave të zgjedhur në kuadër të një autoriteti tjetër ligjor nga ai i Kosovës, nuk mund të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme. Por ne shpresojmë se edhe personalitete të tjera mund të jenë kandidat. Kjo është një përpjekje për të zbatuar vlera të njëjta në veri sikurse në Kosovë në Serbi dhe vende të tjera të rajonit. Ky është procesi që pres në të ardhmen”.

Zoti Faith beson ndërkaq në rifillimin e shpejtë të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë ngecur për shkak të mospajtimeve rreth pjesëmarrjes së Kosovës në forumet ndërkombëtare.

“Mendoj se shumë trysni dhe energji është angazhuar për të siguruar rezultate, veçanërisht sa i përket bashkëpunimit rajonal si dhe për menaxhimin e kufijve dhe çështjet tjera teknike. Po ashtu ka një interesim për të parë zbatim serioz të tyre. Kjo ndodhë në një periudhë kur Serbia synon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Kosova synon më shumë mbështetje nga Bashkimi Evropian. Pra të dyja palët kanë arsye të ndihmojnë përparimin e këtij procesi dhe shpresoj se do të shohim rezultate shumë shpejt”.

Zoti Faith, beson në një kompromis ndërmjet qëndrimeve të të dyja palëve. Beogradit, që ngulë këmbë që kjo të ndodhë në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Prishtinës që hedh poshtë një mundësi të tillë.

XS
SM
MD
LG