Lidhje

Dita botërore e ushqimit


Fëmijët, që të rriten, duhet të ushqehen mirë. Ndërsa familjeve të fermerëve u duhet të kenë klientë të qëndrueshëm që të mund të përballojnë jetesën. Lidhja e këtyre dy komponentëve ka patur rezultat pozitiv në mbarë botën. Sot, në Ditën Botërore të Ushqimit, i hedhim një vështrim lëvizjes "farm-to-school", "nga ferma në shkollë".

Është koha e drekës në Shkollën Fillore Ruth Ann Monroe në periferi të Washingtonit. Fëmijët kanë zënë radhën për të marrë ushqimin: rosto derri me mish nga një fermë lokale. Jeffrey Proulx është drejtor i mensave të shkollave të distriktit.

"Kemi shumë mollë nga fermat lokale, sot për shembull, po servirim mollë nga pemishtja e Smithsburg-ut, Rinehart Orchards", thotë zoti Proulx.

Rreth 85 për qind e mollëve që serviren në shkolla vijnë nga pemishtja J. D. Rinehart's orchards, 20 kilometra larg qytezës.

Rinehart dhe Proulx bëjnë pjesë në rrjetin e partneritetit të fermave me shkollat e distriktit.

Shkollat amerikane u servirin ushqim më tepër se 30 milionë fëmijëve në ditë. Rreth 20 milionë prej tyre janë nga familje me të ardhura të pakta, të cilëve shteti u paguan ushqimin në kuadrin e një programi për parandalimin e urisë dhe për t'i ndihmuar fëmijët të fokusohen tek mësimi.

Por shumica e shkollave nuk gatuajnë ushqime të freskëta, thotë
Jeffrey Proulx.

"Ne zakonisht ofrojmë ushqime të paketuara, që i ngrohim para se t'i servirim. Mendoj se duhet t'i rikthehemi traitës, të fillojmë që t'u japim fëmijëve ushqim të gatuar në kuzhinë", thotë ai.

Kritikët thonë se ushqimet e gatshme kontribuojnë tek obeziteti i fëmijëve, një epidemi për vendin.

Por rregullat e reja të qeverisë synojnë ta bëjnë më të shëndetshëm ushqimin që ofrohet nëpër mensat shkollore.

Proulx thotë se ushqimet e gatuara në kuzhinat e shkollës do ta bëjnë më të lehtë pakësimin e nivelit të kripës dhe yndyrës tek ushqimet.

"Mënyra për të arritur nivelet e duhura të kripës dhe yndyrës, është duke i gatuar vetë ushqimet dhe duke ditur burimin e tyre".

… Dhe marrja e produkteve nga fermat e zonës ndihmon në ekonominë lokale, thotë J. D. Rinehart.

"Kjo na lejon të përmirësojmë mjediset tona, duke i blerë pajisjet në kompanitë e zonës, pra ndihmon në rritjen e ekonomisë lokale. Dhe kështu, nga kjo përfitojnë të gjithë banorët", thotë zoti Rinehart.

Të ndihmosh në rritjen e bizneseve lokale, ndërsa i siguron fëmijëve në shkolla ushqim të freskët… Është e lehtë të shohësh përse programet nga ferma në shkolla janë përhapur, nga 6 shtete në vitin 1997, tani në 50 shtete amerikane.

Por Shetet e Bashkuara nuk janë në krye në kësaj lëvizjeje botërore, thotë Carmen Burbano, e Programit Botëror të Ushqimit.

"Vendi më i suksesshëm i botës në këtë aspekt është Brazili", thotë ajo.


Presidenti i Brazilit Luis Inacio Lula da Silva fitoi medaljen ndërkombëtare për suksesin e programit kundër varfërisë "Zero Hunger"..

"Një nga bazat e këtij plani ishte programi i ushqimit në shkolla.
Por në vitin 2009, ata e kuptuan se ky program, që ishte i kushtueshëm për qeverinë, mund të ndihmonte gjithashtu për ta lidhur me familjet e fermerëve", thotë zonja Burbano.


Programi tani kërkon që 30 për qind e ushqimit të shkollave të vijë nga fermat lokale. Ai ka qenë kaq i sukseshëm, saqë Brazili tani po ndihmon disa vende afrikane të krijojnë programet e tyre për t'i ndihmuar si fëmijët, edhe fermat lokale, që të fuqizohen.
XS
SM
MD
LG