Lidhje

Vazhdon debati për publikimin ose jo të dokumentit që kritikon FBI-në


Në Uashington vazhdojnë debatet lidhur me publikimin ose jo të një dokumenti sekret që kritikon FBI për tejkalim të kompetencave të përgjimit.

Dokumenti i hartuar nga kryetari republikan i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Devin Nunes, pretendon se FBI-ja ka abuzuar me ligjet e përgjimit dhe ka siguruar në mënyrë të gabuar urdhra-mbikqyrjeje, duke përdorur një dosje të paverifikuar lidhur me Donald Trumpin dhe Rusinë, të hartuar nga ish-agjenti britanik i zbulimit Christopher Steele.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha sot se ajo “nuk është në dijeni që Presidenti Donald Trump ta ketë lexuar dokumentin”.

Dje Presidenti Trump u dëgjua në kamera, ndërsa po largohej pas fjalimit mbi gjendjen e vendit, tek i thoshte një ligjvënësi republikan se ai është “100 për qind'' në favor të publikimit të dokumenti.

Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sanders, gjatë një interviste për CNN sot në mëngjes tha se nuk ishte në dijeni që zoti Trump ta kishte lexuar dokumentin, as para dhe as menjëherë pas fjalimit të tij. Ajo tha gjithashtu se dokumenti ndodhet ende nën një proces shqyrtimi ligjor për të pare ndikimin tek siguria kombëtare. Kjo çështje ka shkaktuar debat mes palëve.

Demokratët këmbëngulin për mos publikimin e tij. Adam Schiff, demokrati më i lartë në Komisionin e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve tha se në dokumentin e republikanëve nuk ka asgjë lidhur me hetimet, që e shfajëson Presidentin Donald Trump.

Ai tha se dokumenti është "një raport çorientues" me qëllimin për të minuar FBI-në dhe Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller, i cili po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 si dhe nëse njerëzit e fushatës së zotit Trump kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me zyrtarë rusë.

Departamenti i Drejtësisë po ashtu ka rekomanduar që dokumenti të mos publikohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG