Policia po përpiqet të identifikojnë personat përgjegjës për goditjen me armë zjarri të dy oficerëve të saj në Ferguson të shtetit Mizuri mbrëmë, ndërkohë që protestuesit po largoheshin nga një demostratë pranë stacionit të policisë. Një turmë njerëzish ishin mbledhur disa orë pasi shefi i policisë dha dorëheqjen pas publikimit të një raporti të Departamentit të Drejtësisë ku akuzohet policia për njëanëshmëri raciale
Shefi i policisë së kontesë St.Louis, Jon Belmar u tha gezetarëve se oficerët po ndihmonin stacionin e policisë në Ferguson kur u qëlluan.
“Është një mjedis shumë i rrezikshëm për policët që u përballën me zjarrin e armëve. Dy oficerët po qendronin në rrugë dhe u qëlluan vetëm sepse ishin policë.”
Zoti Belmar tha se një prej policëve u qëllua në shpatull dhe tjetri në fytyrë. Ai tha se të dy policët ishin në gjendje të rëndë kur u dërguan në spital.
Fotografi Bradley Rayford tha se ishte pranë njërit prej policëve që u qëllua.
“Ishim gati të largoheshim kur dëgjuam krisma si të fishekzjarreve. Ishte një rrugë më sipër...dhe kjo ndodhi edhe tre herë të tjera. Ishte zjarr armësh dhe pasi u shtrimë përtokë pamë që një polic pranë nesh ishte qëlluar.”
Dëshmitarët në Ferguson thanë se u duk se të shtënat kishin ardhur nga një kodër përkarshi rrugës nga stacioni i policisë. Një numër i madh policësh u dislokuan përreth stacionit menjëherë pas të shtënave.
Incidenti erdhi pas dorëheqjes së shefi të policisë së Fergusonit, Thomas Jackson. Ai po largohet shtatë muaj pasi Darrell Wilson, një polic i bardhë qëlloi për vdekje adoleshentin zezak Michael Brown gjatë një konfrontimi në rrugë gushtin e kaluar.
Shefi i policisë u bë objekt akuzash të rënda për diskriminim racial brenda departamentit të policisë pas vrasjes së adoleshentit zezak. Shefi i policisë së Fergusonit është zyrtari i gjashtë që largohet nga posti pas raportit të Departamentit të Drejtësisë.