Lidhje

Kundërpërgjigja ndaj tarifave mbi Kinën


Kina njoftoi sot një listë të mallrave amerikane, përfshi mishin e derrit, mollët dhe tubat e çelikut, që thotë se mund të goditen me tarifa më të larta. Veprimi i Kinës vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një memorandum presidencial, që hapi rrugën për vendosjen e tarifave mbi 1,300 produkte të importeve kineze. Por shumë bujq amerikanë janë të shqetësuar se tarifat do të nxisin Kinën të hakmerret kundër produkteve të tyre. Korrespondentët e Zërit të Amerikës Kane Farabaugh dhe Bill Gallo shpjegojnë se shqetësimet mund të jenë vetëm fillimi i një fërkimi të mprehtë tregtar mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Randy Poskin rrit sojë në rrethinat e Illinoit.

Si shumë fermerë në Amerikë, ai votoi për Donald Trumpin në zgjedhjet e vitit 2016. Por, ndërsa presidenti Trump po shton presionin ndaj Kinës, Poskin është i shqetësuar se mund të gjendet në mesin e një lufte tregtare.

"Nuk jam i sigurt në këtë pikë, por kam frikë se ata do të hakmerren për këto tarifa dhe do të bëjnë diçka për të pakësuar eksportet e sojës, grurit, pulave, mishit - ata mund hakmerren ndaj çdo produkti që ne eksportojmë në vendin e tyre", thotë Poskin.

Presidenti Trump vuri dje në lëvizje një plan për të imponuar tarifa për importet kineze që kapin shumën 60 miliardë dollarë.

Masa - nëse presidenti e vë në zbatim - ka për qëllim të ndëshkojë bizneset kineze që përfitojnë nga qasja e padrejtë në teknologjinë amerikane.

Bizneset amerikane janë ankuar se, për të hyrë në Kinë, Pekini i detyron që fillimisht të transferojnë teknologjinë e tyre tek partnerët kinezë.

"Kompanive perëndimore iu është dashur një lloj partneriteti me firmat vendase kineze, duke iu dhënë disa nga teknologjitë e tyre të avancuara, gjë që i ka lejuar firmat kineze të arrijnë më shpejt konkurrencën nga sa do të ishin në gjendje", thotë Geoffrey Gertz me institutin Brookings.

Por nuk është ende e qartë sa larg është i gatshëm të shkojë presidenti për të mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Kinës.

"Kur analizon politikën tregtare që ndjek presidenti Trump, ajo është një politikë e qartë. Ka njoftime të shoqëruara me shumë retorikë, agresivitet, dramë, por kur vjen koha për ta zbatuar politikën, shohim një ton më të zbutur, më tepër në përputhje me politikat historike amerikane të tregtisë ", thotë zoti Gertz.

Ky model mund të jetë i njëjtë edhe këtë radhë. Por ka ende rreziqe.

Në Pekin, udhëheqësit e Partisë Komuniste tashmë po kërcënojnë të hakmerren.

"Kina nuk do të qëndrojë në heshtje, ndërsa të drejtat legjitime dhe interesat tona dëmtohen. Ne duhet të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me forcë të drejtat dhe interesat tona", tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze.

Cilët vihen në shënjestër? Mbështetësit e Trumpit në industrinë e bujqësisë.

Në mënyrë të veçantë, fermerët e sojës. Një në çdo tre rreshtat e mbjellë me sojë amerikane eksportohet në Kinë. Kjo i bën fermerët e sojës në mënyrë të veçantë të ndjeshëm ndaj hakmarrjes kineze.

"Kina importon rreth 51 për qind të eksporteve tona të sojës. Pra nga të gjitha eksportet e sojës amerikane, Kina merr më shumë se gjysmën e tyre", thotë Tamara Nelsen, me Byronë e Fermerëve të Illinoit.

Ky kërcënim po i lë shumë fermerë si Poskin, të lëkunden për mbështetjen e tyre ndaj Trumpit.

"Nuk jam i sigurt. Dua të them më pëlqen ana e rregullave që po vendos, mënyrën se si i mbështet gjërat. Por nga ana tjetër, këto fusha të tregtisë janë shumë të rëndësishme për bujqësinë. Nuk mund të ndërpresim këtë tregëti", thotë Poskin.

Dhe ky mund të jetë vetëm fillimi i tensioneve tregtare.

Trump ka thënë se ai nuk i frikësohet ndërlikimeve negative të vendimeve të tij tarifore, duke thënë se luftrat tregtare janë, "të mira dhe lehtë për t’u fituar".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG