Lidhje

Ndërpritet procesi për vendin e Kupës 2026


FIFA thotë se ka ndërprerë procesin e aplikimeve për Kampionatin Botëror 2026 për shkak të skandalit të korrupsionit në organin drejtues të futbollit botëror.

Nuk do të kishte kuptim “të fillohej një process pranimi kërkesash në këtë moment”, tha të mërkurën në një konferencë për shtyp në Rusi, Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke.

Organizatori i Kampionatit Botëror 2026 ishte parashikuar të përzgjidhej nga anëtarët e FIFA-s në një takim në vitin 2017 në Malajzi. Nuk është e qartë se kur do të merret vendimi.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Meksika dhe vendet evropiane mendohet që të jenë kandidatët pë kampionatin.

Një akt-padi muajin e kaluar ngre akuza ndaj nëntë zyrtarëve të FIFA-s dhe pesë ekzekutivëve të korporatave për shkelje që përfshijnë rryshfete, mashtrime me transaksionet financiara dhe pastrim parash. Një hetim zvicerian është përqendruar tek akuzat për keqmenaxhin dhe pastrim parash lidhur me përzgjedhjen e Rusisë dhe Katarit si vendet ku do të mbahet Kampionati Botëror në 2018 dhe 2022.

Megjithëse nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim, Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter u përfshi në skandal dhe deklaroi se do të japë dorëheqjen pas zgjedhjes së presidentit të ri në periudhën dhjetor 2015 dhe mars 2016.

Dukumentat e gjykatës amerikane që u bënë publike të mërkurën e kaluar tregojnë se një ish-anëtar i komitetit ekzekutiv të FIFA-s pranoi se kishte pranuar rryshfete në lidhje me Kampionatet Botërore të viteve 1998 dhe 2010.

Charles Blazer, një qytetar amerikan që për dy dekada ishte një nga zyrtarët më të fuqishëm të futbollit botëror, pranoi fshehtaz fajësinë në nëntor të vitit 2013 për 10 akuza në Nju Jork në këmbim të masave lehtësuese nga Prokurorët, sipas një transkripti të redaktuar pjesërisht të seancës gjyqësore.

Blazer i tha një gjykatësi amerikan se ai dhe persona të tjerë në komitetin ekzekutiv të FIFA-s kishin pranuar rryshfete në lidhje me përzgjedhjen e Francës si vendin e Kampionatit Botëror të vitit 1998. Ai tha se kishte pranuar gjithashtu rryshfete në lidhje me Kampionatin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut.

XS
SM
MD
LG