Lidhje

Tiranë: Vrasja e gjyqtares dhe dhuna në familje


Opinioni publik shqiptar vazhdon të jetë i tronditur nga vrasja dje e gjyqtares Fildes Hafizi prej ish-bashkëshortit të sapoliruar nga burgu.

Ekspertët dhe veprimtarët e shoqërisë civile pohojnë se vrasja e gjyqtares është vetëm njëri nga shembujt e shumtë të dhunës së shtuar në familje.

Gjyqtarja 39 vjeçare, Fildes Hafizi, u vra dje nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi pas një dhune të gjatë e të përsëritur në familje, duke lënë pas dy fëmijë të mitur dhe një tronditje të rëndë të opinionit publik.

Dhuna e fshehur dhe e përsëritur në familjet shqiptare sa vjen e shtohet në mënyrë dramatike në të gjitha shtresat e grupimet shoqërore si në zonat e largëta ashtu edhe në kryeqytet.

“Gjëja më e rëndësishme është parandalimi. Më pas patjetër që është dënimi. Politika dhe vendimmarrësit kanë në dorë që, ashtu si ka kërkuar prej vitesh shoqëria civile, ta kriminalizojë dhunën në familje në masën e duhur. Të mos ketë asnjë amnistri për dhunën në familje, sic ndodhi në këtë rast, dhe mund të ishte shmangur vrasja e gjyqtares. Të mos ketë më asnjë ulje dënimi, sic ishte pikërisht edhe ky rast” - tha Edlira Çepani, drejtuese e Rrjetit për Barazi në Vendimmarrje.

Ndërsa sociologët i gjejnë shkaqet e kësaj dhune në familje tek mungesa e kulturës së bashkëjetesës, tek edukimi i mangët dhe mosreagimi i shoqërisë dhe institucioneve kundër kësaj dhune. Sociologu Gëzim Tushi thotë se vrasjet në familje nuk janë rastësore, por pjesë e një dukurie të dhimshme, që po përhapet me intensitet të lartë.

“Numri i krimeve në familje tregon se shëndeti i shoqërisë ka probleme shumë të mëdha. Statusi i familjes ka nisur të deformohet ekzistencialisht në Shqipëri. Kjo situatë e rëndë është e lidhur kryesisht me faktorë historikë, që kanë të bëjnë me natyrën patriarkale të shoqërisë sonë, me natyrën ballkanike të shumë burrave shqiptarë që kanë konceptin se gruaja është prona private, dhe nuk mund ta pranojë se gruaja ka dinjitetin dhe integritetin dhe jetën e vet” - thotë sociologu Gëzim Tushi.

Vrasje të grave e vajzave në familje po ndodhin çdo muaj, thotë Zonja Çepani e Rrjetit për Barazi, duke shënuar kështu një nga rekordet më negative të shoqërisë kohët e fundit.

Sipas saj, dhuna ndaj grave ndodh çdo ditë dhe masat në mbrojtje të tyre duhet të shtohen çdo ditë, por aktualisht shoqëria traumatizohet vetëm nga lajmet tragjike, që dalin në media dhe nuk reagon në vazhdimësi kundër dhunës së burrave në familje, që është mjaft e përhapur por nuk shfaqet asnjëherë në media.

“Ka në dorë policia të bëjë shumë. Ka në dorë shteti të bëjë shumë. Ka në dorë shoqëria të bëjë shumë. Faji është i gjithi joni. Ne nesër mund të jemi të gjithë viktima. Secili sot në punën e vet, në jetën e vet, në familjen e vet duhet të fillojë të japë kontributin e parë. Vetëm kështu ne mund të gjejmë një zgjidhje për dhunën në familje, e cila po na tregon raste shumë tragjike në shoqërinë shqiptare” - thotë zonja Çepani.

Edhe pse ishte divorcuar nga bashkëshorti dhe kujdestare e dy fëmijëve, gjyqtarja Hafizi kishte një urdhër mbrojtje nga gjykata, pas një përpjekje të mëparshme të tij për ta vrarë dy vjet më parë.

Ish-bashkëshorti Kasemi përfitoi disa lehtësi nga gjykata dhe në janar përfitoi edhe nga një amnisti, e cila e solli përsëri pranë nënës së fëmijëve, të cilës i mori jetën me armë zjarri.

“Krimi në familje buron në radhët e pjesëtarëve të familjes, e cila është institucion i jetës private. Kjo e bën tepër të vështirë parashikimin dhe parandalimin krimin dhe kërkon një mekanizëm shumë të hollë për të ndërhyrë. Por krimin në familje ne nuk duhet t'ia lëmë vetëm vetëmbrojtjes së gruas. Me siguri, nëse e lëmë të vetëmbrohet, cdo grua sot do të viktimizohet dhe mund t'i merret jeta nga një mashkull psikopat, i cmendur, i disekuilibruar, i dalë nga vetja, i kafshëruar nga një lloj bishe brenda vetes. Femrat tona ne duhet t'i mbështesim pikërisht edhe në këtë institucion të jetës private, sic është familja” - thotë zoti Tushi.

Për vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizit bënë deklarata publike autoritetet më të larta të shtetit dhe politikës shqiptare, të cilët u shprehën për dënime të rrepta të autorëve të dhunës në familje dhe reformën në drejtësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG