Lidhje

Epoka Trump fillon me premtimin për ndryshim


Duke sinjalizuar një epokë të re për Uashingtonin, Donald Trump mori pushtetin me synimin për të zhbërë pjesën më të madhe të trashëgimisë së paraardhësit të tij. Në fjalimin që ruajti tematikën e fushatës elektorale, ai u zotua të veprojë në emër të amerikanëve të harruar. Zëri i Amerikës shqyrton domethënien e transferimit paqësor të pushtetit nga Barack Obama tek Donald Trump.

Si çdo president përpara tij, Donald Trump bëri betimin.

Përpara qindra mijëra mbështetësve të ngazëllyer të pranishëm, zoti Trump sinjalizoi një epokë të re ndryshimi në Uashington.

“Nuk po transferojmë thjesht pushtetin nga një administratë tek tjetra, apo nga një parti tek tjetra. Po e transferojmë pushtetin nga Uashingtoni dhe po jua kthejmë juve, njerëzve,” tha ai.

Zoti Trump dha një mesazh jo vetëm për amerikanët, por edhe për të gjithë njerëzit në botë.

“Nga kjo ditë, një vizion i ri do ta qeverisë këtë tokë. Nga ky moment, do të jetë e para Amerika!”, theksoi ai.

Zoti Trump riktheu imazhin e fabrikave të mbyllura dhe të amerikanëve të harruar nga Uashingtoni.

Pjesa më e madhe e fjalimit të tij i drejtohej mbështetësve të tij.

“Ai po shpalos vizionin e tij për popullin amerikan, ose më saktë për votuesit që ndjehen të lënë pas, të neglizhuar apo edhe të tradhtuar”, thotë Jack Raycove, i Universitetit Stanford.

Zoti Trump gjithashtu bëri thirrje për bashkim kombëtar pas një fushate përçarëse elektorale.

“Duhet të flasim hapur, të debatojmë sinqerisht rreth mosmarrëveshjeve, por gjithnjë të synojmë solidaritetin. Kur Amerika është e bashkuar, Amerika është e pandalshme”, tha ai.

Megjithatë, ndasia politike u shfaq dje me protesta anti-Trump të shpërndara nëpër qytet, madje edhe me përplasje me policinë.

Zoti Trump merr detyrën ndërsa ka nivelin më të ulët të miratimit për një president të ri në disa dekada. Ai pritet të lëvizë me shpejtësi për disa nga prioritetet e tij, si kujdesi shëndetësor dhe emigracioni.

“Ai ka votat e duhura të shumicës republikane në Kongres, për të realizuar gjërat. Por, ai përballet me çështje shumë të vështira. Anullimi dhe zëvendësimi i programit Obamacare është diçka që e dëshirojnë të gjithë republikanët, por detajet se si do të realizohet janë të vështira”, thotë John Fortier, i Qendrës së Politikave Dypartiake.

Zoti Trump merr detyrën si një faktor i ndryshimit. Në të kaluarën, kjo është shoqëruar nga risku politik.

“Siç ka thënë Woodrow Wilson, ‘Nëse do të bësh armiq në Uashington, duhet të ndryshosh diçka’. Pra, presidentët që duan të bëjnë ndryshime të mëdha, krijojnë shumë më tepër armiq”, thotë historiani presidencial Richard Norton Smith.

Në Uashington, ndryshimi është zyrtarizuar tashmë. Presidenca Obama i përket tani historisë. Epoka e Donald Trump sapo ka filluar.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG